Kukës, nis zhbllokimi i rrugëve që lidhin komunat me qytetet
Në të gjithë zonën verilindore të vendit vazhdon moti i ftohtë, por pa reshje. Akset nacionale të rrugëve Kukës-Qafë Shllak, Kukës-Morin, Kukës-Krumë si dhe Bajram Curri-Qafë Morinë, Bajram Curri-Fierzë janë të kalueshme me zinxhirë. Lëvizja e mjeteve në këto akse ka vazhduar dje pa ndërprerje dhe po punohet që ato të mbahen në gjendje të mirë. Gjithashtu mjetet e Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve në Kukës po punojnë për të bërë të kalueshme akset Kukës-Shishtavec, Kukës-Peshkopi, ku fadromat borëpastruese janë përqendruar në Resk të Rrethit të Kukësit, duke avancuar drejt Bushtricës dhe Grykës së Çajës. Dje është bërë e mundur edhe hapja e disa rrugëve rurale në Tropojë, si ajo Bajram Curri-Qafë Luzhë, Bytyç-Krumë etj. Shtabi i Emergjencës në Prefekturën e Kukësit, i cili qëndron i mbledhur 24 orë dhe po mban në kontroll situatën, pohon se aktualisht janë të pakalueshme rrugët që lidhin komunat Bushtricë, Shishtavec, Zapod, Kalis, Grykë Çajë, Arrën, si dhe Lekbibaj në Tropojë. Në tërësi, situata cilësohet e vështirë, por jo emergjente, pasi sipas shtabit të prefekturës, fshatrat kanë furnizime të mjaftueshme në ushqime dhe deri tani nuk ka pasur raste problematike apo emergjenca shëndetësore. Konfirmohet gjithashtu se rezervat e shtetit kanë sasi të konsiderueshme ndihmash në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të motit. Temperaturat e djeshme në Kukës variojnë nga minus 4 deri në minus 7 gradë Celsius. Trashësia e borës në qytetet e qarkut është mesatarisht 35 centimetra, ndërsa në lartësitë mbi 700 metra mbi nivelin e detit ajo arrin në 1.2 metra. Aktualisht qytetet dhe fshatrat furnizohen pa ndërprerje me energji elektrike me përjashtim të Komunës Arrën, ku për shkak të defektit të linjës, konsumatorët janë pa drita që nga fillimi i stuhisë një javë më parë.