Librazhd, 7 fshatra malorë mbeten të izoluar prej pesë ditësh
Shtatë fshatra malorë në Rrethin e Librazhdit, prej pesë ditësh vazhdojnë të jenë të bllokuara tërësisht nga dëbora. Sipas informacioneve më të fundit, fshatrat e Lunikut, Fushë-Studës, Stravajt, Sopotit, Polisit e të Çermenikës mbeten të izoluara nga bora, trashësia e së cilës arrin deri në 50 centimetra. Vështirësi ndjehen në furnizime me ushqimet bazë jetike si mielli dhe produktet e tjera për nevojat jetike, si dhe furnizimi me energji elektrike. Burime nga filiali i KESH-it në Elbasan bëjnë të ditur se ka qenë e pamundur ndërhyrja për riparimin e shtyllave të rrëzuara apo linjave të këputura, për shkak të bllokimit të rrugëve nga bora. Pavarësisht përpjekjeve të drejtorisë së rrugëve rurale, qarkullimi me automjete është ende i pamundur në shtatë komuna të Rrethit të Librazhdit. Ndërsa në akset e rrugëve kombëtare që përshkojnë Qarkun e Elbasanit, qarkullimi është normalizuar pas hedhjes së skorieve dhe kripës.