E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalsi: Berisha gënjen për Unazën e Madhe

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, i është kundërpërgjigjur menjëherë deklaratave të Kryeministrit Sali Berisha lidhur me ndërtimin e Unazës së Madhe, të cilat i ka cilësuar si gënjeshtrën e radhës. "Sali Berisha i Vitit të Ri mbetet Kryeministri i vitit të vjetër. Po ajo shëmbëlltyrë paaftësie, dëshpëruese që gënjen papushim, për të mbushur gropat e zmadhuara të varfërisë, papunësisë, pasigurisë, korrupsionit e injorancës", u shpreh Shalsi. Numri dy i bashkisë i ka kujtuar kreut të qeverisë që "thotë se do e bëjë qeveria Unazën e Madhe, pasi Bashkia nuk e bën dot", se ne kemi bërë gati projektin për këtë segment; kemi marrë miratimin paraprak të kredisë nga Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim; kemi marrë edhe miratimin e Këshillit Bashkiak dhe kemi qysh në prillin e shkuar, që presim qeverinë të bëjë detyrën e saj ligjore për garantimin e fondit të shpronësimeve. Sipas Shalsit, në rast se edhe me Unazën e Madhe, Kryeministri i vitit të vjetër do bëjë politikën e Zogut të Zi, kjo është thjesht një arsye më shumë, në malin e arsyeve të humbjes së sigurtë që e pret vetëm gjashtë muaj nga sot, ashtu siç është e sigurtë, që në fund të vitit 2011, qytetarët e Tiranës do ta kenë këtë segment të Unazës së Madhe.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›