E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kope ujqish të uritur mësyjnë qytetet

Dimrat e butë të viteve të fundit kanë shtuar frikshëm numrin e grabitqarëve në malet e verilindjes, në mënyrë të veçantë të ujkut. Ndërsa ashpërsia e motit të këtyre ditëve ka bërë që lukunitë e tyre të zbresin deri në qytet. Dje në mesditë, në vendin e quajtur Shtrazë, në periferi e qytetit të Kukësit, një tufë ujqish ka sulmuar tufën e deleve të një fshatari nga Përbregu. Pas alarmit që bariu ka dhënë, shumë shpejt një grup gjuetarësh që jetojnë në qytet kanë organizuar gjuajtjen me armë gjahu, ku kanë vrarë dy prej egërsirave dhe kanë plagosur edhe dy të tjerë. Gjahtari Lulzim Lleshi, që është edhe kryetar i Shoqatës së Gjuetarëve të Rrethit të Kukësit tregon për gazetën "Shqip" se prej disa ditësh ishin bërë shqetësim ujqit në shumë fshatra. "Kemi pasur shqetësime nga banorët e Kolshit, ku ujqit kishin bërë shumë dëme, ku kishin shqyer një tufë prej rreth 20 dhensh, një kalë, një lopë etj., po ashtu nga banorët e Përbregut ku ujqit këto ditë kanë ngrënë dy tufa dhish, nja dhjetë dhen etj.", thotë Lleshi. Për këtë arsye, dje ishin organizuar për të dalë për gjahun e ujqve përpara se lukunia e tyre të bënte mësymjen e fundit. "Ne ishin bërë gati dhe ndodheshim në rrugë e sipër kur morëm njoftimin se në Shtrazë kishin zbritur një tufë ujqish, tregon një gjahtar i grupit". Ai tha gjithashtu se të merresh me ujqit është e frikshme, aq më tepër me këta të fundit të cilët, siç thotë gjahtari, "ishin të qorruar nga uria dhe mund të shqyenin edhe njeriun". Grupi prej disa gjahtarësh është vënë në ndjekje të tufës së egërsirave dhe pas rreth një ore kërkim në pyllin me pisha të qytetit, dy prej ujqve janë vrarë në vend, ndërsa dy tjerë, edhe pse të shënuar, kanë mundur të fshihen në shkurret buzë liqenit të Fierzës. Gjahtari Lleshi tregon se edhe dy ujqit e plagosur duhet të kenë ngordhur. Ai shtoi se në pyllin e qytetit mund të fshihen edhe të tjerë, ndërsa gjahu ndaj tyre do të vazhdojë. Gjahu i rrallë ka tërhequr vëmendjen e një numri njerëzish gjatë gjithë pasdites së djeshme, kur dy ujqit e vrarë janë ngarkuar në kabinën e një veture dhe janë shëtitur nëpër qytet. Të gjithë qentë, rrugaçë apo të gjahut, por edhe ndonjë qen i bagëtive që kullotin në periferi, janë zbythur të frikësuar, edhe pse ujqit kanë qenë të ngordhur. Kishte njerëz që u shprehën kundër këtij veprimi, duke e cilësuar si të papranueshëm. "Pse i shëtisni këto kafshë të vrara, vetëm komunizmi ka pasur një urrejtje të tillë për viktimat", tha një 60-vjeçar, duke kujtuar se në vitin 1989, ishin shëtitur nëpër Kukës, të lidhur me tela në spondet e një automjeti të errët dy djem të rinj të kapur, ndërsa kishin tentuar të kalonin kufirin shtetëror. Në Kukës, në fshatra të veçantë, ekziston një tabu lidhur me ujkun, sipas së cilës është shumë ters dhe pothuajse e ndaluar vrasja e tyre. "Të shkon një vit ters po të vrasësh një ujk, sepse ai është shpata e Hazreti Aliut", tha një banor i vjetër. Sidoqoftë, shëtitja e ujqve të vrarë ka qenë një shfaqje që ka zbavitur shumë njerëz, ndonëse ata shkaktonin frikë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›