Berisha: Do të çmontojmë monopolet e ndërtuara mbi krimin ekonomik
- Zhvillohet takimi i parë i Task Forcës Antikorrupsion
Kryeministri Sali Berisha ritheksoi të enjten, në mbledhjen e parë të Task Forcës Antikorrupsion, vendosmërinë e Qeverisë Shqiptare në luftën kundër korrupsionit, për çmontimin e monopoleve të ndërtuara mbi krimin ekonomik dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve.
"Ky do të jetë grupi që do të vendose shtetin ligjor, do të çmontojë monopolet e ndërtuara mbi krimin ekonomik, do të mbrojë interesat e qytetarëve dhe do të garantojë transparencë të plotë mbi të gjitha operacionet me para të qytetarëve", deklaroi Kryeministri Berisha në këtë takim.
Duke u ndalur në situatën në Koorporatën Elektroenergjitike Shqiptare, Kryeministri Berisha tha se duhet t'i jepet fund menjëherë praktikave të abuzimeve me faturimet, kryesisht me lidhjet ilegale në rrejtin energjitik. Për këtë, z.Berisha kërkoi veprim të shpejtë dhe efikasitet nga ana e Policisë Elektrike.
"Përmbushja e ligjit është detyrë mbi të gjitha. Duhet të bëhet një transparencë e plotë për çdo tender që zhvillohet. Ne do të ndalojmë çdo lloj tendence për të kapërcyer ligjin me prokurimet", deklaroi Kryeministri, duke kërkuar marrjen e masave ndaj të gjithë prokuruesve që janë kapur me shkelje nga raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Kryeministri i cilësoi rezultatet e deritanishme të Doganave shqiptare, një rezultat të frymës dhe jo të reformave. Ai kërkoi thellimin e reformave në dogana, për të çrrënjosur monopolet e krijuara. Ndërsa në fushën e tatimeve, z.Berisha kërkoi që të ndërhyet energjikisht për të realizuar evidentimin dhe regjistrimin e të gjithë bizneseve që operojnë në vend.
Ndërkohë, Kryeministri e cilësoi si të domosdoshëm ristrukturimin e shpejtë të Drejtorisë për Parandalimin e Krimit Ekonomik, në Ministrinë e Brendshme dhe fuqizimin e kësaj drejtorie për të rritur efikasitetin e saj në nivelet e kërkuara në kuadër të luftës që qeveria i ka shpallur korrupsionit në të gjitha hallkat ku ai shfaqet. Krimi ekonomik duhet të jetë fokus i kësaj drejtorie dhe prioritet edhe i Ministrisë sw Brendshme.
Duke u ndalur në sistemin gjyqësor, z.Berisha garantoi respektimin e pavarësisë së gjykatave dhe se çdo veprim i kundër do të ndëshkohet, por njëherësh kërkoi më tepër angazhim të inspektorëve për të evidentuar dhe provuar çdo shkelje që denoncohet. Ankesat e qytetarëve në këtë drejtim duhen marrë me më shumë seriozitet. Inspektorët duhet të qëndrojnë pas çdo ankese të qytetarëve dhe t'i verifikojnë këto ankesa.
Kryeministri kërkoi zbatimin me përpikmëri të urdhërave të nxjerrë prej tij për telefonat e hapur për qytetarët, si dhe kërkoi verifikimin e rasteve ku shfaqet konflikti i interesave.
Kryeministri kërkoi nga anëtarët e Task Force që të raportojnë periodikisht çdo dy javë për ecurinë e angazhimeve. Ai theksoi edhe një herë në fund të takimit se vetëm thellimi i reformave do të garantojë suksesin tonë për të vendosur pushtetin e ligjit.