E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do të realizojmë brenda këtij viti furnizimin me ujë pandërprerje për të gjitha zonat turistike të vendit

Kryeministri Sali Berisha deklaroi të mërkurën se brenda këtij viti do të realizohet furnizimi me ujë pandërprerje për të gjitha zonat turistike të vendit. Kryeministri Berisha e deklaroi këtë prioritet të qeverisë gjatë përurimit të punimeve të Ujësjellësit të Manskurisë, në komunën e Golemit në rrethin e Kavajës.
"Dua të siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se qeveria është e vendosur, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, që furnizimin me ujë të popullsisë ta konsiderojë një përparësi të madhe. Qeveria do të përdorë me efiçencë taksat tuaja, doniacionet e partnerëve tanë ndërkombëtarë, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kenë të plotësuara nevojat e tyre për ujë, energji elektrike, rrugë dhe infrastrukturë", tha Kryeministri Berisha.
Ujësjellësi i Manskurisë do të përmirësojë furnizimin me ujë të Plazhit të Golemit, zonës përreth dhe të qytetit të Kavajës. Vlera e financimit të projektit është 2.5 milionë Euro, nga të cilat 2 milionë Euro janë investuar nga qeveria gjermane, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW), ndërsa pjesa tjetër nga qeveria shqiptare. Ujësjellësi do të furnizojë me ujë afro 58 mijë banorë dhe do të ketë një prurje prej 100 m3/sek. Punimet e ujësjellësit do të përfundojnë përpara çeljes së sezonit turistik të këtij viti.
Kryeministri Berisha falenderoi qeverinë gjermane, taksapaguesit gjermanë, të cilët kanë dhënë një ndihmë jashtëzakonisht të rëndësishme, në një seri projektesh që shtrihen nga Kruma në Korçë, në fushën e furnizimit me ujë të qytetarëve shqiptarë. Vetëm në sektorin e ujit qeveria gjermane në kuadër të bashkëpunimit me qeverinë shqiptare ka shpenzuar rreth 140 milionë euro.
Ndërkohë, Ministri i Transportit, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit, Lulëzim Basha, i pranishëm në përurim, bëri të ditur se Ministria që drejton po përfundon projektin për t'i shtuar investimit të KFW-së nga fondet e buxhetit të shtetit, fonde të mjaftueshme për vënien në operim të baterisë së katërt të ujësjellës-kanalizimit të Manskurisë, me qëllim rritjen e vëllimit të ujit në këtë rajon dhe në rajonin e plazhit të Durrësit, në volumin 70 deri në 130 m3/sek.
Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm edhe Zj.Doris Këln, përfaqësuese e KFW, Ambasadori gjerman në Tiranë, Hanns Peter Annen dhe përfaqësues të pushtetit vendor.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›