Kryeministri Berisha uron në xhaminë e Kavajës ditën e Kurban Bajramit
Me rastin e Ditës së Kurban Bajramit, kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij kanë bërë, të martën paradite, një vizitë në xhaminë e Kavajës, ku janë pritur nga myftiu i qytetit dhe besimtarë të shumtë. Duke i përcjellë besimtarëve myslimanë urimet e përzëmërta për "këtë ditë të bekuar", z.Berisha nënvizoi se "dita e Kurban Bajramit është dita e madhe në të cilën njeriu nderon sakrificën e tij për të mirën, për Zotin, për të ardhmen. Kjo është dita që frymëzon njeriun që të sakrifikojë për vlerat hyjnore, për njeriun, për qëllimet dhe idealet e tij". Z.Berisha tha se Kurban Bajrami i gjen shqiptarët këtë vit më mirë se një vit më parë, me një përpjekje të re të madhe për t'u shkëputur nga varfëria. Gjatë bisedës me drejtuesit e xhamisë, z.Berisha ritheksoi se po punohet edhe për zgjidhjen e çështjes së kthimit të pronave komuniteteve fetare në vend.