Berisha: Do të fitoj besimin e 26 vendeve të NATO-s
Kryeministri Sali Berisha garanton vendet anëtare të NATO-s se qeveria e tij do të përmbushë çdo detyrim që ka për anëtarësimin e plotë në strukturën atlantike. Në të njëjtën kohë kur në Bruksel firmosej protokolli i aderimit në NATO, Kryeministri Sali Berisha foli para anëtarëve të qeverisë mbi angazhimet që Shqipëria do të përmbushë për të fituar besimin e vendeve anëtare të NATO-s, për ta pranuar sa më parë Shqipërinë në gjirin e Aleancës. Berisha vuri në dukje se "për qeverinë time reformat kanë qenë dhe do të mbeten të vazhdueshme dhe do t'i përgjigjem me seriozitet çdo kërkese që Aleanca do të bëjë për Shqipërinë”. Kreu i qeverisë shqiptare përshëndeti nënshkrimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë për në NATO dhe pohoi se tashmë para Shqipërisë shtrohen përgjegjësi të reja. “Falënderoj të gjitha vendet anëtare të NATO-s për firmën që vendosen në Bruksel, si një firmë besimi të madh ndaj Shqipërisë ndaj qeverisë shqiptare, ndaj shoqërisë shqiptare”, - deklaroi z.Berisha. Por, sipas kreut të qeverisë, firma e hedhur është një përgjegjësi e re për të plotësuar çdo kërkesë që paraqet Aleanca e Atlantikut e Veriut. Nisur nga kjo, Berisha garantoi vendet anëtare të NATO-s se “qeveria që unë kryesoj, e konsideron këtë firmë si një përgjegjësi të re, të madhe për të zbatuar në këtë vend të gjitha standardet e kriteret si dhe normat e vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, parimet mbi të cilat është ndërtuar kjo aleancë”.