E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli në Bosnjë, uron punën e paqeruajtësve shqiptarë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka qenë ditën e djeshme e pranishme në Bosnjë, ku është takuar me ekipin shqiptar të çminimit, pjesë e misionit EUFOR. Ajo ka komplimentuar trupat shqiptare ushtarake në këtë vend dhe u shpreh se anëtarësimi në NATO, ka si meritë edhe kontributin e ushtarakëve shqiptarë. “Një pjesë e madhe e meritës për firmosjen sot të Protokollit të Anëtarësimit në NATO u takon trupave tona ushtarake, kudo që ndodhen. Misioni juaj ka kaluar me miratimin e një marrëveshjeje të posaçme nga Kuvendi i Shqipërisë. Më parë është diskutuar edhe në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Ju na bëni nder, ju i bëni nder Shqipërisë, kombit shqiptar, me praninë tuaj këtu, me punën tuaj të kualifikuar, me sukseset tuaja këtu. Ndihem krenare, pasi është e para herë që efektivat tona të Forcave të Armatosura, nuk janë nën mburojën e një shteti tjetër, por janë me flamurin shqiptar dhe tërësisht me shpenzimet e shtetit shqiptar dhe në këtë flamur, kryeni misione të rëndësishme”, - tha Topalli. Trupat paqeruajtëse shqiptare janë në Bosnjë që nga shtatori i vitit 1996, kur Shqipëria për herë të parë kontribuoi me trupa në IFOR. Ndërsa që nga prilli i këtij viti, në këtë vend vepron për herë të parë Ekipi i Çminimit, një grup për asgjësimin e municioneve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›