E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do të garantojmë konkurencën e lirë në një klimë miqësore për biznesin

Kryeministri Sali Berisha u shpreh, të mërkurën, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se, qeveria mbetet e angazhuar të garantojë një konkurencë të lirë dhe të ndershme në të gjitha qelizat dhe sektorët e tregut në Shqipëri, në një klimë miqësore për biznesin. Në fjalën e mbajtur në këtë mbledhje, kryeministri u shpreh:

"Problemi i konkurencës së lirë është problemi më thelbësor i ekonomisë së tregut. Në rast se për një sistem demokratik zemra e tij është vota e lirë, për ekonominë e tregut, zemra e tij është konkurenca e lirë dhe e ndershme, e cila në Shqipëri është e ndrydhur, e deformuar në mënyra nga më të ndryshmet. Qeveria ka shpallur si objektiv madhor të saj rivendosjen e konkurencës së lirë dhe të ndershme. Kjo kërkon një betejë shumëplanëshe, ligjore dhe vetëm ligjore, jashtë çdo arbitrariteti. Zhdukja e monopoleve private të lidhura me ministrat dhe me qeveritarë të tjerë ishte një hap, por konkurenca e lirë dhe e ndershme është e ndrydhur në çdo qelizë të ekonomisë së tregut, jo vetëm në sektorët e mëdhenj, por në tërësi, në të gjithë sektorët.

Në këtë kontekst, lufta kundër informalitetit, nxjerrja e ekonomisë nga informaliteti është një nga kushtet më vendimtare për rivendosjen e konkurencës së lirë në Shqipëri dhe jo i vetëm. Dua të theksoj se janë kushte të tjera që duhet të plotësohen, në mënyrë që Shqipëria të jetë vendi i tregut të lirë. Detyrimisht duhet të rishqyrtohen të gjitha liçensimet, në sensin e liberalizimit të tyre. Monopolet u krijuan edhe nga kufizimi i madh i liçencave për klientët, farefisninë, njerëzit e pushtetit. Kjo natyrisht është tepër e rëndësishme, por jo e mjaftueshme. Procesi i privatizimit do të ketë në themel respektimin e këtij ligji dhe jo të krijojë, jo të mundësojë krijimin e monopolistëve.

Pra, duhet të shqyrtojmë me lupë të gjitha masat ligjore, zbatimin e tyre, për të realizuar një konkurencë të lirë dhe të ndershme në të gjitha qelizat, sektorët e tregut në Shqipëri. Këto ditë një grup biznesmenësh kanë shprehur shqetësimin e tyre. Dua të theksoj me këtë rast se, qëndrimi i qeverisë është dhe do të mbetet vendosmërisht miqësor ndaj tregut në tërësi dhe biznesit të vogël në veçanti. Unë personalisht nuk di një vend tjetër në Europë dhe as gjetiu që të tatojë biznesin me 1.5 % të xhiros. Në këtë kontekst, kam bindjen më të thellë se çdo biznesmen i vogël e ka të qartë se kjo është lehtësia më e madhe fiskale që mund t'i garantohet. Sikundër, problemit të tyre madhor të mungesës së konkurencës së lirë ne po përpiqemi t'i japim përgjigje me shpejtësi. Janë rregjistruar gjatë kësaj periudhe 5.200 biznese të vogla, të paliçensuara. që të gjitha godisnin fqinjin e tij në biznes, sepse natyrisht ky paguhet, ndërsa ai tjetri paguante taksidal, një shumë që merreshin vesh njëri me tjetrin. Duke treguar mirëkuptim për të gjitha bizneset, jemi të vetëdijshëm se ilegaliteti i tyre është dobësi, në radhë të parë e qeverisë dhe jo e tyre, se qeveria është përgjegjëse për ligjin dhe qeveria nuk ka patur vullnetin, ose nuk ka patur autoritetin,nuk ka patur kredencialet për të zbatuar ligjin.

Unë ju bëj thirrje të gjithë biznesmenëve të rregjistrohen, një thirrje shumë miqësore. Të parregjistruar nuk do të mund të ketë biznes në Shqipëri. Ky është një vendim i palëkundur i qeverisë. Unë i garantoj ata se, duke paguar atë taksë që kemi vënë, 1.5% mbi xhiron, do të jenë shumë më të sigurt të rregjistruar, shumë më të qetë dhe më dinjitozë, sesa duke paguar nën dorë një taksidar. Dhe në këtë mënyrë ne do të nxjerrim nga informaliteti ekonominë, jemi shumë të vendosur, por do ta nxjerrim në mënyrë shumë më miqësore dhe me praktika miqësore, me qëndrim miqësor, duke njohur përgjegjësinë e shtetit, të qeverisë për situatën e krijuar.

Ekonomia informale nuk është ekonomi kriminale, jashtë çdo lloj mëdyshjeje kjo. Ekonomia informale është një ekonomi për t'u informalizuar dhe kaq. Është detyrimisht për t'u formalizuar sepse dhunon konkurencën e lirë, sepse kushtet e barabarta janë të domosdoshme, sikundër janë të dënueshme arbitrariteti i taksidarëve. Unë i garantoj ata se do të kenë mbështetjen e plotë dhe të fuqishme të qeverisë në çdo përpjekje për të zbatuar ligjin, por do të kenë ndëshkimin e padiskutueshëm për çdo arbitraritet ndaj bizneseve. Në këtë drejtim, Ministria e Financave duhet të shqyrtojë të gjitha ankesat, sepse ai biznesmen që merr përsipër të denoncojë arbitraritetin e taksidarit, ai që kontribuon në ligjin dhe shtetin ligjor në vend, ai është për t'u nderuar. Sikundër kërkoj që edhe procesin e formalizimit ta bëjmë në mënyrë të palëkundur, por të përdorim qëndrime miqësore. Nuk mund të ketë mëdyshje se asgjë të saktë nuk mund të bëjmë, të pabazuar në faturat fiskale dhe xhirot. Dhe duke u bërë thirrje biznesmenëve, të plotësojnë rregjistrat e tyre. Ne nuk do të ndryshojmë sistemin, sërish ne do të pranojmë atë që do të deklarojnë ata, do të marrim për bazë deklaratën e tyre. Por të mos harrojnë biznesmenët e vegjël, se është interesi i tyre jetik që midis tyre të mos ketë biznese të mesme të kualifikuara, sepse ai dhunon tmerrësisht konkurencën e tyre. Është njëlloj si të futësh peshkun e madh tek peshqit e vegjël. Jo vetëm ushqimin, por edhe më shumë se ushqimi, ai ua merr.

Ky është qëllimi. Nuk është e vërtetë, nuk bëhet në asnjë rast fjalë për biznese të mëdha, bëhet fjalë për biznese të mesme. Është interesi i bizneseve të vogla që klasifikimi të jetë i ndershëm, që ai që përmbush kriteret të mbetet i vogël, ndwrsa ai që ka bërë progres, e ka xhiruar biznesin - dhe ne i ulëm taksat që t'u krijojmë cdo mundësi atyre - vetkuptohet që ai nuk mund të trajtohet si i vogël, sepse absolutisht dëmton biznesin tjetër. Aq sa e dëmton ai i palicensuari, aq e dëmton edhe ky, të cilit i krijohen mundësi shumë më të mëdha me ngrohtësinë që ka krijuar me aktivitetin e tij. Ndaj dhe dinamizmi, kalimi nga biznes i vogël në biznes të mesëm, kalimi nga biznesi i mesëm në biznes të madh, është rregulli, është ligji i zhvillimit.

Ministria, siç është deklaruar edhe në parlament, duhet të marrë të gjitha masat për të vendosur kasat e rregjistrimit, së pari tek bizneset e mëdha. Këto gjashtë muaj, bizneset e mëdha duhet të pajisen me kasa rregjistrimi. Kjo është mënyra më e domosdoshme për të faktuar xhiron. Dhe unë sërish u bëj thirrje bizneseve që të adaptojnë, të bashkëpunojnë për vendosjen e kasave të rregjistrimit.

Ne jemi dhe do të mbatemi qeveri e taksave të ulëta, ky është koncept filozofik i yni. Ne besojmë se në këtë mënyrë zhvillohet vendi më shpejt dhe gjatë këtij gjashtëmujori do të përgatitet e gjithë baza ligjore për vendosjen e kasave të të gjitha biznesve në Shqipëri. Taksat nuk lëvizin, xhiroja do të ketë mundësi tani të matet me mënyrat më bashkohore, sic matet në vende të tjera. Nuk do të ketë as shtrirje të TVSH-së tek biznesi i ulët, jo. Nuk do të ketë sepse praktika me të cilën ky biznes jo vetëm që nuk humbet por fiton, po të thellosh TVSH-në, do shumë kohë për t'u konsoliduar. Vende si Franca apo vende të tjera, me një disiplinë fiskale të konsoliduar e praktikojnë ndoshta, por Shqipëria duhet të pranojë gradualitetin. Kështu që nuk do të ketë shtrirje të TVSH-së në biznesin e vogël.

Në epiqendër të veprimtarisë sonë, të çdo gjëje, duhet të jetë konkurenca e lirë, Asnjë qëllim që ne kemi shpallur nuk mund të realizohet, pa garantuar konkurencën e lirë për bizneset. Mendoj se në drejtim të informalitetit po bëhet një punë realisht serioze, direkt nga institucionet, por edhe kryqëzimi i të dhënave, si një mundësi shumë e madhe për të nxjerrë në rrezen e diellit të gjitha veprimtaritë që janë shumë të mirëpritura, që janë të vlerësuara. Mund t'u them se jam më shumë se optimist, se ne me shpejtësi do të arrijmë së pari në drejtim të rregjistrimit të biznesve, atë që duhet. Ky është vetëm një aspekt, liçensat janë aspekti tjetër, kontrabanda dhe evazioni janë aspekte të tjera, pasi pa luftën kundër tyre nuk mund të ketë konkurencë të lirë të vërtetë. Sërish të dhënat janë mjaf optimiste".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›