E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon në Vjenë Kancelarin austriak Shusel dhe merr pjesë në Konferencën e Mynihut për Sigurinë

Kryeministri Sali Berisha u prit të premten paradite në Vjenë nga Kancelari austriak Volfgang Shusel në një takim miqësor. Në takim, u diskutua gjerësisht mbi zhvillimet në Shqipëri, procesin e integrimit si dhe zhvillimet në rajon.

Kryeministri Berisha i bëri z.Shusel një ekspoze të programit të qeverisë si dhe arritjeve të këtyre muajve, në rivendosjen e shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar, konsolidimin e disiplinës fiskale, tërheqjen e investimeve të huaja, etj.

Z.Shusel vlerësoi programin dhe arritjet e qeverisë. Ai e siguroi Berishën se Austria, si kryesuese e radhës e BE-së, do të mbështesë plotësisht integrimin e Shqipërisë në BE.

Në takim, u diskutua gjithashtu për statusin përfundimtar të Kosovës. Z.Berisha theksoi se ekziston një unitet i vërtetë i faktorit politik shqiptar në Kosovë, për trajtimin e pakicave, decentralizimin, dialogun. Gjithashtu, kryeministri shprehu qëndrimi e tij se zgjidhja e vetme është respektimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës për pavarësi.

Të dy palët ranë dakort të mbajnë kontakte për probleme me interes të përbashkët. Z.Berisha e ftoi kancelarin Shusel për një vizitë në Shqipëri, ftesë të cilën ai e pranoi me kënaqësi.

***
Të premten në mbrëmje, Kryeministri Berisha mbërriti në Mynih të Gjermanisë, ku është ftuar të marrë pjesë në Konferencën e 42-të të Politikës së Sigurisë, me ftesë të Prof.Dr. Horst Teltschik, president i kësaj konference.

Në të marrin pjesë personalitete nga e gjithë bota. Gjatë darkës së shtruar nga Presidenti Teltschik, Kryeministri Berisha u vendos në tryezën e nderit, ku u përshëndet dhe bisedoi me pjesëmarrës të ndryshëm, midis të cilëve, Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfelt, Presidentin e Gjeorgjisë Mikheil Saakashvili si dhe me ministrat e Mbrojtjes të Francës, Anglisë dhe Gjermanisë, me senatorin amerikan John McCain
dhe personalitete të tjera të rëndësishme. Ai u takua gjithashtu edhe me zëvendëskryeministrin e Bavarisë, Gunther Beckstein.

Seanca e sotme (e shtunë) e Konferencës u kryesua nga kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila paraqiti pozicionin e Gjermanisë, si dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit euroatlantik, riorientimin e NATO-s ndaj rreziqeve të reja, si dhe qëndrimin e prerë ndaj Iranit.

Gjatë fjalës së saj, kancelarja gjermane u shpreh se NATO mbetet e hapur për vendet e Kartës së Adriatikut, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Kroacia, Maqedonia.

Kryeministri Berisha e falenderoi kancelaren gjermane për këtë mbështetje të hapur dhe shprehu besimin dhe dëshirën që marrëdhëniet tona të intesifikohen më tej në të ardhmen.

Në seancën e pasdites, Kryeministri Berisha mori fjalën në Konferencë, ku u ndal në rëndësinë e bashkëpunimit ndaj sfidave të reja globale.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›