E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do të indeksojmë pagat në korrik

"Do të ketë kompensim qindarkë për qindarkë për rritjen e çmimeve në treg". Ky është premtimi i Kryeministrit Sali Berisha i dhënë nga Shkodra, në vazhdim të turit të tij nëpër Shqipëri. Këshilli i Ministrave është duke përgatitur një vendim për indeksimin e pagave, i cili do të kalojë në mbledhjen e qeverisë në fund të qershorit dhe do të hyjë në fuqi më datën 1 korrik. Ka mbetur në nivel negociatash përcaktimi i rritjes në përqindje që do të bëhet më 1 korrik për pagat dhe pensionet. Dje nga Shkodra, Berisha u shpreh se "rritja e çmimeve të ushqimeve është e dhimbshme dhe dua të siguroj të gjithë pensionistët dhe të gjitha familjet në ndihmë ekonomike se qeveria do të kompensojë qindarkë për qindarkë rritjen e këtyre çmimeve". Kreu i qeverisë bëri me dije se vazhdon t‘i qëndrojë këtij vendimi që është dhënë që në ditët e para të janarit. "Të dhënat botërore për çmimin e ushqimeve janë pozitive. Mendoj se këtë vit do të ketë një prodhim më të mbarë. Ne do të kompensojmë qindarkë për qindarkë pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike dhe ky është një vendim i pandryshueshëm", tha ai. Efektet negative, që ka krijuar rritja e çmimeve në artikujt ushqimorë, do të kompensohen nëpërmjet rritjes vjetore të pagave dhe pensioneve. Ekspertët pranë Ministrisë së Financave shpjegojnë se me kompensim nëpërmjet indeksimit nënkuptohet rritja e pagave dhe pensioneve në gjashtëmujorin e dytë të çdo viti mbi normën e inflacionit. Por sa do të jetë ajo, ende nuk ka një shifër të saktë ose zyrtare. Burime pranë Këshillit të Ministrave pohojnë se indeksimi do të aplikohet më 1 korrik të këtij viti dhe masa e rritjes do të jetë 15-20%. Norma më të larta të rritjes do të përfitojnë sektorët e arsimit dhe shëndetësisë me 18-22 për qind. Ekspertët në Ministrinë e Financave shpjegojnë se norma e rritjes së pagave ka qenë dhe do të jetë disa fish më e lartë se norma e inflacionit, por nuk kanë dhënë një shifër konkrete se sa do të jetë ajo. Pavarësisht rritjes së çmimeve kryesisht për bukën dhe vajin, inflacioni për muajin janar arriti 3 për qind. Por, qeveria indekson pagat në ritmet e rritjes së inflacionit, ose më shumë se ky tregues vetëm një herë në vit. Në të vërtetë, vlen të theksohet se procesi i indeksimit nuk është risi, por zbatohet vit për vit, por është ajo që opinioni publik e njeh si rritje pagash dhe pensionesh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›