OSBE, inspektim për regjistrin elektronik
Përfaqësuesi i OSBE-së në Tiranë vlerëson Ministrinë e Brendshme për ecurinë e procesit për regjistrin elektronik të shtetasve. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani inspektoi ecurinë e procesit për regjistrin elektronik të shtetasve në Bashkinë e Beratit, së bashku me Kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, në prani edhe të kryebashkiakut Fadil Nasufi, Në zyrën e Gjendjes Civile të Rajonit Nr. 2 të kësaj bashkie, drejtuesit e njohën ministrin Nishani dhe Ambasadorin Bosch me punën e kryer deri më tani, që konsiston në hedhjen e të dhënave të regjistrit themeltar në mënyrë elektronike, e po kështu edhe me përfundimin e verifikimit të këtij procesi. Më tej puna do të vijojë edhe me certifikimin e të gjithë procesit. Nishani dhe Bosch shprehën vlerësimet e tyre për punën e kryer si dhe angazhimin e profesionalizmin e treguar nga punonjësit e zyrave të gjendjes civile në Bashkinë Berat. Ambasadori Bosch e cilësoi procesin e përgatitjes së regjistrit elektronik të shtetasve si një hap të madh e të rëndësishëm në përmirësimin e shërbimeve ndaj publikut dhe të qëllimit për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike. Kreu i Prezencës së OSBE siguroi edhe njëherë për mbështetje në vazhdimësi të projektit.