E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyje, derra dhe shteti ligjor

"Ligjet janë si rrjeta e merimangës; ato vërtet që kapin të dobëtit e të varfrit, por bëhen copë e çikë nga të fortët dhe të pasurit", thoshte një princ skuth në shekullin e gjashtë para erës sonë. Një thënie kjo, që për fat të keq duket si e bërë enkas për Shqipërinë e ditëve tona, ku megjithëse bëhet be e rrufe në emër të shtetit ligjor e drejtësisë, për shtet ligjor as që mund të flitet. Të paktën jo sipas koncepteve të një demokracie liberale, si ato të BE-së, ku pretendojmë të hyjmë. Na e kujtojnë këtë fakt të pakëndshëm sherret e pafundme mes drejtësisë e politikës, si dhe ndërhyrjet e presioni që ushtron kjo e fundit te gjyqësori, prokuroria apo çdo instancë tjetër e drejtësisë në Shqipëri.

Le të marrim për shembull reagimin e Kryeministrit ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e shpalli antikushtetues ligjin që e detyronte biznesin të paguante 15% të gjobës apriori. Megjithëse edhe një njeri pa njohuri të thella ligjore e kuptonte se ky ligj shkelte një nga parimet bazë të së drejtës, atë të prezumimit të pafajësisë - mendoni sikur një të akuzuari për vrasje apo vjedhje t‘i kërkohej të vuante apriori 15% të dënimit - Kryeministri u shfaq sa i indinjuar aq edhe i habitur nga ky vendim i gjykatës. Por, në të vërtetë e vetmja gjë që ishte për t‘u habitur në këtë mes ishte gjuha kërcënuese që ai përdori, duke thënë se gjykata na paskërka shumë fuqi dhe se ai ka ndërmend ta zgjidhë këtë problem, duke bërë reforma. Për të mos folur pastaj për reagimin e ministrit të Financave, që pasi u ankua se "pushteti gjyqësor nuk mund të bllokojë punën e organeve të tjera kushtetuese!" tha se nuk do t‘u kthejë bizneseve asnjë lek. Po t‘u shtohet këtyre reagimeve dhe kërcënimi jo shumë i fshehur i Kryeministrit ndaj atyre që i dhanë arrest shtëpie të akuzuarit për rrëmbim, torturim dhe vrasje Arben Sefgjini lind natyrshëm pyetja: Sa mund t‘i besojmë Kryeministrit, apo mazhorancës në tërësi, kur flasin për përkushtimin e tyre ndaj shtetit ligjor, në një kohë që duket qartë se ata e shohin veten mbi ligjin? Se në fund të fundit, një nga parimet bazë të shtetit ligjor është autonomia e organeve të drejtësisë dhe aftësia e tyre për të kufizuar pushtetin e ekzekutivit. Po në Shqipëri prej kohësh vazhdon të shkelet me të dyja këmbët dhe një tjetër parim themelor i shtetit ligjor, ai i barazisë para ligjit. Mund të përmendim këtu sërish rastin Sefgjini dhe refuzimin e Kryeministrit për ta pezulluar atë nga detyra, edhe pse gjykata ishte e mendimit se akuzat ndaj tij - ndër më të rëndat që mund të imagjinohen - janë aq të besueshme sa t‘i jepte atij masën e arrestit shtëpiak. Ose deputetë që rrahin gazetarë e arbitra e s‘u hyn gjemb në këmbë. Por, në fakt s‘është fare nevoja të shkohet aq larg, se raste të tilla ka plot dhe në jetën e përditshme. Gjithkujt duhet t‘i ketë qëlluar të shohë makina luksoze politikanësh apo njerëz të pushtetshëm që thyejnë çdo rregull të qarkullimit - shkelje që ne vdekatarëve të rëndomtë do të na kishin kushtuar së paku patentën - dhe që policët jo vetëm s‘guxojnë t‘i ndalojnë, por u rrinë me dorë në zemër si gjynahqarë. Si zor që këtyre njerëzve ligji t‘u njohë privilegje të tilla. Dhe e gjithë kjo bëhet edhe më e turpshme nëse kujtojmë se jo më larg se në Rumani, Presidenti u gjobit për një shkelje të rregullave të trafikut. Problemi është se një pjesë e madhe e masave që ka marrë qeveria deri më sot ka ndjekur po të njëjtën logjikë. Mund të përmendet këtu moratoriumi mbi mjetet lundruese, tatimi i librave të shtypur jashtë vendit, meqë disa botues paskan manipuluar faturat, apo të OJQ-ve, meqë disa prej tyre mund të kenë abuzuar me fiskun. Të marra së bashku këto masa flasin për një qeveri që mundohet të mbulojë mungesën e një vizioni afatgjatë për të luftuar krimin e informalitetin dhe paaftësinë për të ndëshkuar fajtorët, duke kaluar ca ligje të improvizuara për të adresuar raste të veçanta. Dhe deri ku mund të shkojë absurditeti i kësaj logjike duket fare qartë te rasti i kreut të qarkullimit rrugor për Tiranën, i cili, në një përpjekje për të ulur numrin e aksidenteve rrugore në kryeqytet, papritur e papandyer u shpalli luftë motoçikletave duke bllokuar 1200 syresh brenda dy muajve. Me një arsyetim që të linte gojëhapur, e që i ngjante si dy pika uji atij që përdori qeveria në rastet e përmendura më lart, ai e justifikoi këtë duke bërë ca llogari të ftohta për vlerën monetare të një të riu tiranas nga 25 deri në 35 vjeç, me koeficient mesatar inteligjence, e cila, sipas tij, ishte 2 milionë dollarë. Dhe kur këtë e bën dhe qeveria, si mund ta kritikojë kush këtë zotëri që po i kursyeka kryeqytetit 1200 motorë x 2 milionë dollarë?



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›