E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misteret e vajit kancerogjen

Policia dhe Prokuroria e Korçës janë vënë në lëvizje për të verifikuar dyshimet mbi mundësinë e futjes në Shqipëri të një sasie vaji ushqimor të përzier me vajra industrialë. Pas bllokimit në Greqi të një sasie të madhe vaji të papërpunuar, që kishte ardhur nga Ukraina dhe kishte për destinacion përfundimtar Shqipërinë, autoritetet janë përqendruar në verifikimin e të gjitha dokumenteve të firmave që importojnë vaj ushqimor. Kështu, policia ka sekuestruar dokumentacionin e të gjitha firmave që merren me importin e vajit, si dhe dokumentacionin që ka pasur Dogana e Kapshticës dhe Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit për importin e vajit ushqimor gjatë muajve të fundit.

Sipas policisë së Korçës, nga çdo ngarkesë vaji ushqimor që ka hyrë në Shqipëri janë marrë mostrat të cilat nga procesverbalet rezulton se u janë nënshtruar edhe analizave laboratorike. "Kemi verifikuar dhe mbajtur të gjitha procesverbalet e kontrollit të Inspektoratit të Bujqësisë dhe Ushqimit, por edhe procesverbalet e hyrjeve në Shqipëri nga pika doganore e Kapshticës. Ka rezultuar se periodikisht në vendin tonë kanë hyrë sasi të konsiderueshme vaji të importuar dhe kemi edhe emrat e firmave importuese, të cilat edhe pse kanë kaluar procesin e verifikimit dhe kontrollit nga ana e inspektoratit do të verifikohen nga e para", thotë drejtori i policisë së Korçës, Emëri Vata.

Vaji ka hyrë çdo javë nga Dogana e Kapshticës nga firma të ndryshme, ku përfshihet edhe ajo greke "Manos", në magazinat e së cilës u gjet sasia e vajit të kontaminuar. Ngarkesat kanë qenë me lloje të ndryshme vaji ushqimor, jo vetëm vaj luledielli. Por nuk bëhet fjalë për hyrjen në vend të vajit që është folur për përzierës. Të paktën kjo ka rezultuar nga procesverbalet e kontrollit, pasi vaji që ka hyrë në vendin tonë, me destinacion tregun kombëtar, ka qenë në të gjitha rastet vaj i përpunuar dhe për përdorim ushqimor, ndryshe nga ai i bllokuar në shtetin grek, që ka qenë i papërpunuar dhe jo për konsum.

Edhe nga firma "Manos" procesverbalet e kontrollit kanë qenë të gjitha me përgjigje nga analizat e kampioneve se janë të rregullta dhe pa ngarkesa. Kjo është shënuar në procesverbalet që gjendjen në pikën doganore dhe në Inspektoratin e Bujqësisë dhe Ushqimit", ka thënë drejtori i policisë së Korçës. Megjithatë, siç pohon drejtori i policisë së Korçës, është mbajtur edhe lista e firmave importuese të vajit për të bërë edhe verifikimet e mëtejshme, edhe pse nga çdo ngarkesë hyrëse janë mbajtur kampionet që u janë nënshtruar kontrolleve dhe analizave të këtyre mostrave që kanë rezultuar të pastra dhe pa ngarkesa kimike të dëmshme për konsumatorin.

Sipas burimeve zyrtare të policisë, vaji i bllokuar në shtetin grek është vaj i papërpunuar, ndërsa ai që është importuar ka qenë vaj i përpunuar dhe për përdorim ushqimor. Emrat e firmave shqiptare kontraktore në listën e importuesve nuk janë bërë publike, por konfirmohet se janë firma të ndryshme që bëjnë edhe shpërndarjen në rang kombëtar të vajit dhe që furnizohen çdo javë me ngarkesa që kalojnë nga Dogana e Kapshticës. Nga ana e policisë nuk janë dhënë shifra të sakta mbi sasinë që ka hyrë vetëm nga firma greke "Manos" gjatë muajve të fundit, por konfirmohet se edhe nga firma "Manos" kanë hyrë periodikisht ngarkesa me vaj të importuar, njëlloj si firmat e tjera.

Policia

Hetime të veçanta për firmën "Dessina Ballkan"

Nga ana e policisë ka nisur edhe një hetim për të verifikuar në rast se në tregun e zonës juglindore ka depërtuar vaj i ndotur, apo i dëmshëm për shëndetin e konsumatorit, pasi sasitë që ishin destinuar për tregun rajonal janë shpërndarë pas ngarkesave të fundit të importuara nga ana e firmës korçare "Dessina Ballkan". Edhe në këtë firmë vendase janë marrë kampione për analiza, por nga inspektoratet thuhet se të paktën nga verifikimet deri në muajin prill mbi cilësinë e vajit të importuar nuk është hasur në asnjë rast të identifikimit të përzierësve. Megjithatë, pas publikimit të lajmit se edhe në vendin tonë ka hyrë nga firma greke vaj me përqindje të përzierjes me lubrifikantë industrialë, është përhapur panik te konsumatorët, të cilët shprehen të pasigurt për cilësinë e ushqimeve që konsumojnë dhe që sipas tyre hidhen në treg pa qenë shpesh herë brenda standardeve.

Policia e Korçës kërkon të qetësojë konsumatorët: Janë bërë analiza për çdo sasi

"Vaji që ka hyrë në Shqipëri nuk ka përzierës kimikë"

Sasi të mëdha vaji luledielli kanë hyrë periodikisht në vendin tonë nga shteti grek prej firmave të ndryshme, ku përfshihet edhe kompania greke "Manos". Por sipas burimeve zyrtare të policisë së Korçës, vaji me përzierës kimikë i bllokuar në shtetin fqinj ka qenë vaj luledielli i papërpunuar në rafineri dhe jo i destinuar për konsum ushqimor. Ndërkohë, siç ka konfirmuar nga verifikimet policia në juglindje të vendit, vaji i importuar në Shqipëri nuk është nga e njëjta parti që është bllokuar në shtetin fqinj.

Kjo do të thotë se në vendin tonë ka hyrë vaj luledielli që ka kaluar fazën e përpunimit në rafineri dhe që është i pastër për përdorim ushqimor. Kështu kanë deklaruar zyrtarët e policisë së Korçës pas kontrolleve që kanë ndërmarrë gjatë ditës së shtunë në pikën doganore të Kapshticës. Policia e Korçës konfirmon se çdo javë nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës kanë hyrë ngarkesa jo vetëm me vaj luledielli, por edhe me lloje të tjera të vajit të importuar me destinacion tregun vendas. Ndër firmat eksportuese është edhe firma "Manos", nga e cila kanë hyrë sasira të mëdha vaji me destinacion jo vetëm Korçën, por edhe tregjet e qyteteve të tjera të vendit.

Burimet zyrtare të policisë kanë deklaruar se kanë verifikuar të gjitha procesverbalet e kontrolleve të Inspektoratit të Bujqësisë dhe Ushqimit dhe procesverbalet e hyrjeve të ngarkesave me vaj importi nga shteti fqinj. Sipas drejtorit të policisë, Emëri Vata, nga procesverbalet e kontrollit ka rezultuar se në vend ka hyrë vaj i rregullt dhe brenda standardeve të cilësisë. Ky ka qenë konkluzioni që është shënuar në procesverbalet e pikës doganore dhe ato të Inspektoratit të Ushqimit, sipas të cilave vaji i importuar nga Greqia, përfshirë edhe nga firma greke "Manos", ka qenë vaj i përpunuar dhe i destinuar për konsum, i rregullt dhe pa ngarkesa të dëmshme për konsumatorin.

Por dy ditë më parë, zëvendësministri i Bujqësisë, Ndoc Faslia, tha se "teorikisht ekziston mundësia që përmes sasive të mëdha që importohen nga jashtë vendit të ketë edhe produkte të falsifikuara dhe me cilësi jo të mirë". Edhe pse ka tentuar që të qetësojë konsumatorët shqiptarë, zëvendësministri i Bujqësisë, sërish nuk ka mundur dot që të hedhë poshtë mundësinë e futjes në vendin tonë të një vaji me dioksina, për shkak të përzierjes me lubrifikantë industrialë. Ai ka deklaruar se në Shqipëri nuk ka hyrë asnjë sasi vaji e kontaminuar, por kjo gjë, sipas ekspertëve të fushës, është e pamundur të thuhet me siguri. Kjo pasi në vendin tonë mungojnë laboratorët e specializuar për të kryer analiza të tilla.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›