Berisha: Projekti ynë për fermerët
Kryeministri Sali Berisha ishte dje në Fushë-Krujë dhe Lezhë. I kërkon sërish kryetarit të opozitës të japë dorëheqjen nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës
Në qytetin e Fushë-Krujës, Kryeministri Sali Berisha ka folur gjatë për fermerët shqiptarë.
"Unë i garantoj fermerët e Fushë Krujës dhe të mbarë Shqipërisë, se qeveria ime do të subvencionojë të gjitha inputet për sipërfaqen e mbjellë, do të financojë çdo projekt të tyrin për rritjen e prodhimit, do të shumëfishojë grantin për projektet që ata do të paraqesin, do të barazojë pensionin e tyre me atë të qytetit, do të finalizojë të gjithë sistemin e ujësjellësve dhe kanalizimeve", - tha dje Berisha në ndalesën e radhës.
Kreu i ekzekutivit ka shtuar se në katër vitet që vijnë, në rast fitoreje të PD-së, qeveria që ai drejton do të sigurojë punësimin e 160 mijë shqiptarëve.
"Ne që punësuam gjatë katër viteve mbi 80 mijë qytetarë shqiptarë, katër vitet që vijnë do të punësojmë së paku 160 mijë shqiptarë",- tha ai. Kreu i ekzekutivit ka theksuar se Shqipëria europiane fillon nga letërnjoftimet e elektronike dhe pasaportat biometrike. "Ndaj, ftoj ata që nuk i kanë marrë ende, t'i marrin.
Ftoj të gjithë këshilltarët, kryetarët e komunave e të bashkive të Shqipërisë, pavarësisht nga përkatësia partiake, të bëjnë çdo përpjekje që qytetarët e bashkive dhe komunave të tyre të pajisen brenda javës me letërnjoftimet elektronike.
Ftoj militantët e të gjitha partive politike të ndihmojnë mbështetësit dhe simpatizantët e tyre për të marrë letërnjoftimet elektronike. Shqipëria elektronike është e ardhmja jonë",- tha ai.
Ndërsa dje pasdite, kryetari i PD-së, Berisha mori pjesë në një tubim të organizuar në qytetin e Lezhës. Nga qyteti bregdetar, Berisha i është drejtuar sërish kryetarit të opozitës.
"Zoti Rama, unë dhe ti nuk mund t'i kërkojmë kurrkujt kurrë votën, në qoftë se nuk e vëmë veten tonë në provë për këtë votë. Prandaj dhe dil, mos ki frikë, sepse qytetarët do të të japin ty dhe mua atë që meritojmë. Ne duhet të jemi të përgatitur për verdiktin e tyre.
Mos u fshih pas karriges së bashkisë",- tha ai. Dy ditë më parë, Kryeministri Berisha ishte edhe në Patos. Berisha theksoi se brenda vitit 2010 qytetarët do të lëvizin si qytetarë europianë.