Sondazhi, PD-ja fiton me 9% para PS-së
Në rast se zgjedhjet do të mbaheshin në muajin maj, ato do t’i fitonte Partia Demokratike me një diferencë të ndjeshme nga rivalët e Partisë Socialiste. Në një anketim të bërë në të gjithë vendin nga “Puls”, i realizuar në bashkëpunim me tri qendra shqiptare dhe e financuar nga USAID-i dhe britanikët, Partia Demokratike është ndjeshëm e para. Sipas kësaj ankete, Partia Demokratike është në një avantazh prej 9 për qind para PS, kur marzhi i gabimit të këtij sondazhi nuk i kalon 3 për qind. Anketa është bërë në muajin maj, konkretisht në datën 20, duke bërë të qartë se në këtë muaj, Partia Demokratike udhëheq fushatën dhe sipas këtij rezultati të sondazhit, demokratët do të kishin fituar mandatin e dytë me lehtësi dhe me avantazh. Konkretisht, 43% e të pyeturve shprehen se do të votonin Partinë Demokratike, ndërsa vetëm 34 për qind do të votonin për PS-në.
Sondazhi
Anketimi i bërë nga “Puls” në muajin maj, ka pasur asistencën e Qendrës për Kërkim dhe Zhvillim (QKZH) dhe Institutit për Studime Publike e Ligjore (ISPL) të mbështetur teknikisht nga “D3Systems”, me seli në Virginia. Më 20 maj, shqiptarët në nivel kombëtar, të cilët do të shkojnë të votojnë, 43 për qind e tyre pohojnë se do të votojnë për PD, ndërsa 34 për qind për PS. Kufiri i gabimit është plus ose minus 3 për qind. Po sipas këtij sondazhi, më 20 maj, 90 për qind e shqiptarë në moshë për të votuar, raportojnë se do të votojnë më 28 qershor. Referuar kësaj shifre, duket se në datën 28 qershor, shifra e shqiptarëve që do t’i drejtohen kutive të votimit është e lartë. Në këto zgjedhje, sipas këtij sondazhi, numri i votuesve do të jetë i lartë. Sipas këtyre të dhënave, vetëm 8% e shqiptarëve tregojnë se mund të mos votojnë, kryesisht sepse “ata nuk u besojnë partive politike”. Pjesa tjetër, prej 2 për qind, nuk e dinë ose refuzojnë t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. Sipas rezultatit të 20 majit, 12 për qind e shqiptarëve, të cilët dëshirojnë të votojnë, nuk janë të sigurt për cilën parti do të votojnë. Refuzojnë t’i përgjigjen kësaj pyetjeje 5 për qind e të pyeturve. Ndërsa 6 për qind e votuesve potencialë do të votojnë për një nga partitë e tjera më të vogla. Megjithatë, asnjë nga partitë e tjera më të vogla nuk siguron numër të mjaftueshëm votuesish potencialë, që do të mund të matej nga anketimi. Sipas këtij sondazhi, partitë e vogla, edhe duke i marrë të gjitha bashkë, nuk kanë peshë specifike në elektorat. Anketimi i kryer nga “Puls” i datës 20 maj 2009 tregon se 33 për qind e shqiptarëve në nivel kombëtar, të cilët dëshirojnë të votojnë në datën 28 qershor, pohojnë se ende nuk zotërojnë dokument identifikimi të vlefshëm për votim. Kufiri i gabimit në këtë pyetje është plus ose minus 3 për qind. Nga votuesit potencialë pa dokument identifikimi të përzgjedhur, 97 për qind e tyre tregojnë se ata janë duke pritur kartat e reja të identifikimit. Në këtë pyetje ka një marzh gabimi prej 6 për qind, plus ose minus. Pjesa tjetër prej 3 për qind janë duke pritur për forma të tjera identifikimi të vlefshme ose jo. Këto përfshijnë pasaportat dhe certifikatat e lindjes.
Sipas të dhënave të sondazhit, më 20 maj, 12 për qind e shqiptarëve, të cilët duan të votojnë, tregojnë se do të votojnë për një parti të ndryshme nga ajo për të cilën kanë votuar në vitin 2005. Po sipas të dhënave, 13 për qind tregojnë se nuk kanë votuar në vitin 2005, ndërsa 8 për qind refuzojnë të përgjigjen ose nuk e dinë akoma përgjigjen.
Sondazhi ka analizuar edhe votën e qytetarëve, të cilët nuk kishin kartën e identitetit deri në datën 29 maj. Edhe këtu PD është në avantazh të ndjeshëm ndaj PS-së. Referuar shifrave të këtij sondazhi, 42 për qind e votuesve të mundshëm, që ende nuk kanë kartën e përzgjedhur të identifikimit më 20 aj, theksojnë se do të votojnë për Partinë Demokratike. Ndërsa 32 për qind e tyre tregojnë se do të votojnë për Partinë Socialiste. Njëkohësisht 13 për qind e votuesve që s’kishin kartën e identitetit deri më 20 maj, nuk e dinë ende se si do votojnë, ndërsa 13 për qind e votuesve pohojnë se do të votojnë për një nga partitë e tjera ose refuzojnë të përgjigjen. Marzhi i gabimit në këtë pyetësor llogaritet në plus ose minus 6 për qind. Megjithatë, as votuesit potencialë të partive të tjera dhe as ata që refuzojnë nuk përbëjnë votues të mjaftueshëm potencialë, për t’u bërë të matshëm nga anketimi.
Sondazhi
Partia Demokratike 43 %
Partia Socialiste 34 %
Të tjerat 6 %
Nuk janë të sigurt 12 %
Nuk e dinë 2 %
Mund të mos votojnë 8 %
Refuzojë të tregojnë 5 %
Pjesëmarrja në votime 90%
Marzhi i gabimit -/+3 %
Metodologjia e sondazhit
Anketa “Puls” është ndërmarrë nga Qendra për Kërkim dhe Zhvillim (QKZH) dhe Instituti për Studime Publike e Ligjore (ISPL), të mbështetur teknikisht nga “D3Systems” me seli në Virginia, SHBA. Intervistat u kryen në praninë fizike të intervistuesit mbi një kampion kombëtar përfaqësues prej 997 shqiptarëve të moshës mbi 18 vjeç, të përzgjedhur në mënyrë rastësore, midis datave 7 maj dhe 20 maj 2009. Pra të gjitha intervistat janë bërë rastësore dhe përballë, në të gjithë vendin sipas një shpërndarjeje të drejtë. Kufiri i gabimit është plus ose minus 3 për qind në nivelin e pritjes prej 95 për qind. Anketa “Puls” u bë e mundur me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Ambasadës Britanike në Tiranë. Përmbajtja e anketës është përgjegjësi e vetme e QKZH-së dhe ISPL-së, të mbështetura teknikisht nga D3Systems, dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, Ambasadës Britanike apo Qeverisë Britanike.