Berisha: “Do të përcaktojmë buxhet për financimin e komuniteteve fetare”
Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha bëri të ditur se qeveria do të përcaktojë një buxhet për financimin e komuniteteve fetare. Duke u bazuar në marrëveshjen e firmosur nga kreu i qeverisë shqiptare me përfaqësues të komuniteteve fetare rreth një muaj më parë, Berisha tha se kjo marrëveshje përcakton qartë se shteti do të hartojë dhe do të miratojë një ligj lidhur me financimin e institucioneve fetare. “Në përputhje me Kushtetutën e vendit, qeveria ka firmosur rreth një muaj më parë një marrëveshje historike, do ta cilësoja, me komunitetet fetare. Është një marrëveshje, e cila rregullon marrëdhënien e shtetit me këto komunitete. Marrëveshja përcakton qartë se shteti do të hartojë dhe do të miratojë një ligj lidhur me financimin e institucioneve fetare, ligj të cilin unë e mbështes dhe e përkrah plotësisht dhe e konsideroj shumë të domosdoshëm”, - është shprehur Berisha. Kryeministri theksoi se ligji, i cili duhet të rregullojë detyrimin e shtetit për të financuar besimet fetare në Shqipëri, nuk përbën asnjë lloj lidhjeje të besimeve me shtetin, por garanton vendosjen e një të drejte në vendin e vet, pasi ato nuk mund të jenë të përjashtuar nga kjo shoqëri.
Topi: “Të hartohet strategjia për luftën kundër gjakmarrjes”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mblodhi dje në Pallatin e Brigadave Këshillin Koordinues në Luftën kundër Gjakmarrjes. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Presidenti Topi kërkoi hartimin e një strategjie për luftën kundër gjakmarrjes. Presidenti Topi vuri në dukje rëndësinë që ka funksionimi i këtij Këshilli për të vënë në punë të gjitha strukturat shtetërore për një përfshirje jo thjesht ligjore në luftën kundër këtij fenomeni mjaft kompleks, që përbën një anomali në fazën integruese ku ndodhet vendi. Kryetari i shtetit nënvizoi qëllimin e punës së këtij Këshilli, pikërisht evidentimin e drejtimeve për hartimin e strategjisë kombëtare për luftën kundër gjakmarrjes, përcaktimin e detyrave për organet e qeverisjes qendrore dhe asaj vendore si dhe nxitjen e koordinimit e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave jofitimprurëse kundër fenomenit të gjakmarrjes. Pjesëmarrësit në takim, Avokati i Popullit Ermir Dobjani, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, etj., shprehën gatishmërinë institucionale për t’u angazhuar në hartimin e strategjisë kombëtare kundër fenomenit të gjakmarrjes.
Vendimi, rritet niveli i funksioneve në administratën tatimore
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme disa ndryshime në vendimin për përcaktimin e nivelit të funksioneve në administratën tatimore. Sipas vendimit të qeverisë, funksionet që i përkasin kategorisë C1 janë nëpunësit civilë të nivelit të ulët drejtues. Në këtë kategori përfshihen funksionet: përgjegjës sektori/zyre në drejtorinë rajonale, përgjegjës zyre në task force, inspektor I, inspektor i auditit të brendshëm, përgjegjës sektori në drejtoritë mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Në kategorinë C2 përfshihen funksionet: nëpunës civil i nivelit ekzekutues, inspektor II dhe specialist i nivelit të parë dhe të dytë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe drejtoritë rajonale. Në kategorinë C3 përfshihen funksionet nëpunës civil i nivelit ekzekutues, specialist i nivelit të ulët. Në kategorinë D1 përfshihet personeli ndihmës: si nëninspektor dhe sekretar. Në kategorinë D2 përfshihet personeli ndihmës, si llogaritar, arkivist, protokollist, magazinier, shofer, centralist etj., dhe personel tjetër, të ngjashëm me to. Në vendimin e djeshëm të qeverisë është shtuar dhe pika (g) në nenin 2 të vendimit që parashikon funksionet e kategorisë D3 ku futet personeli që kryen shërbimet sanitare dhe të mirëmbajtjes së zyrave. Po kështu është ndryshuar dhe neni që parashikon përzgjedhjen e punonjësve të kësaj administrate. Sipas pikës (b) të nenit 6 do të realizohet një testim me shkrim dhe me gojë. Më pas, ministri i Financave ngre një komision me 5 anëtarë. Kryetar i komisionit është zëvendësdrejtori i shërbimeve mbështetëse dhe anëtarë, drejtori/përfaqësuesi i zyrës/sektorit të personelit, eprori direkt për pozicionin e vendit të shpallur të lirë dhe dy personalitete të fushës ekonomiko-financiare dhe juridike. Rritja e nivelit të funksioneve në administratën tatimore sjell dhe rritjen e pagave mujore të këtyre punonjësve.
20 Nentor 2008