Rama: “Do t’i nxjerrim politikën e vjetër dhe Berishën në pension”
Dialogu me Shqipërinë për bujqësinë i kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama me banorët e Bilishtit të Korçës është përqendruar kryesisht në mungesën e tregjeve për produktet bujqësore, në mospërballimin e rritjes së çmimit të karburanteve për të punuar tokën si dhe një TVSH e lartë, që shpesh është barrë e rëndë për vetë fermerët. Rama ka bërë apel për bashkimin e të gjithë shqiptarëve që duan të jetojnë me punë të ndershme. Kreu i selisë rozë ka deklaruar se ndryshimi i shumëpritur është afër dhe se ka ardhur koha që politika e vjetër dhe Sali Berisha të dalin në pension. “Armiqësia që kanë shqiptarët me keqqeverisjen është armiqësia me një politikë të vjetër që ne duhet ta lëmë pas. Sigurisht që shëmbëlltyra e kësaj politike të vjetër është Sali Berisha, dhe pa dyshim që Sali Berishën ne do ta çojmë në shtëpi. Por ne nuk duhet ta ngatërrojmë nevojën që ka ky vend, për një qeveri dhe një qeverisje të re me mendësinë e vjetër të luftës me njëri-tjetrin, me mendësinë e vjetër të dasive dhe përçarjeve që i ka çuar kjo politikë e mbrapshtë deri në fshatin më të largët. Shkaktarët e kësaj përçarjeje dhe të kësaj dasie, duke filluar nga Sali Berisha, duhet të shkojnë në shtëpi. Një politikë e re bashkimi mes zgjedhësve duhet të marrë jetë. Kësaj do t'i japim jetë ne”, - tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Studimi i ISN-së: “Ja pse shqiptarët përkrahin integrimin e Shqipërisë në BE”
Sondazhet e bëra kanë treguar se 97% e shqiptarëve mbështesin integrimin e Shqipërisë në NATO. Për këtë arsye, Instituti i Studimeve Ndërkombëtare realizoi studimin vjetor për të kuptuar, shpjeguar dhe analizuar perceptimet e qytetarëve shqiptarë mbi procesin e integrimit europian. Sipas këtij studimi, janë katër arsye të cilat argumentojnë dëshirën e madhe të shqiptarëve për ta parë vendin e tyre të integruar në Bashkimin Europian. “Mbështetja mbarëpopullore dhe unike që shoqëria shqiptare tregon për anëtarësimin e vendit në BE shpjegohet me faktin se të gjitha qeveritë shqiptare, që kanë ndërruar njëra-tjetrën, që nga rënia e komunizmit, ndonëse ndahen për një numër çështjesh jo të parëndësishme, janë krejtësisht të bashkuara për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Më tej në Shqipëri nuk ka asnjë parti politike apo organizatë, sindikatë, institucion ekonomik, akademik, fetar apo edhe media që të ketë rezerva për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Së dyti, nga pikëpamja social-kulturore: mbështetja mbarëpopullore dhe e palëkundur e shqiptarëve, për të qenë anëtarë të Bashkimit Europian duhet të shpjegohet, me sa duket, edhe me kërkesën që ka shoqëria shqiptare për të demonstruar përkatësinë me vlerat dhe identitetin europian. Së fundi, por jo e fundit për nga rëndësia që ka, nga pikëpamja ekonomike: duket se një pjesë e madhe e sekretit shqiptar, që mund ta shpjegonte më plotësisht mbështetjen jashtëzakonisht të lartë për anëtarësimin në BE është gjendja e ekonomisë shqiptare”, - thuhet në studimin e publikuar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare (AIIS).
20 Nentor 2008