E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi i ri Zgjedhor përmbys KQZ-në aktuale

Kandidatët favoritë për Komisionin e ardhshëm Zgjedhor. Në janar pritet miratimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së

Eljona Ballhysa
Miratimi i Kodit të ri Zgjedhor do të sjellë dhe përmbysjen e përbërjes aktuale të Komisionit Qendor Zgjedhor. Burime nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kanë bërë të ditur se do të hiqen të gjithë anëtarët aktualë të Komisionit Qendror Zgjedhor. Po këto burime kanë theksuar se favoritë për postet e anëtarëve të KQZ-së janë ekspertët që janë marrë me hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Pas miratimit nga Kuvendi, Kodi Zgjedhor pritet të dekretohet nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ka një afat prej tre javësh për të firmosur dekretimin. Më pas duhen dy javë që Kodi Zgjedhor të botohet në Fletoren Zyrtare në mënyrë që të futet në fuqi. Fill pas këtij afati pritet të fillojnë procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KQZ-së. Burimet nga PD-ja kanë bërë të ditur se Komisioni i ri Zgjedhor pritet të konstituohet në fillim të muajit janar të vitit të ardhshëm.
Anëtarët
Sipas burimeve, dy anëtarët favoritë për Komisionin Qendror Zgjedhor janë dy ekspertët që janë marrë me hartimin e Kodit Zgjedhor, konkretisht Oerd Bylykbashi, i cili pritet të propozohet nga PD-ja, si dhe Damian Gjiknuri, i cili pritet të propozohet nga Partia Socialiste. Burimet bëjnë të ditur se ekziston mundësia e rizgjedhjes së ndonjë anëtari aktual të KQZ-së. Kjo për të treguar vazhdimësinë e punës së këtij komisioni, si dhe për të lënë të paktën dy anëtarë që kanë eksperiencë pune në Komisionin Qendror Zgjedhor. Pikëpyetja ngrihet për emrat e dy anëtarëve që do të propozohen nga dy partitë aleate të PD-së dhe PS-së. Kështu ende nuk dihet se cilët do të jenë anëtarët që do të propozohen nga Partia Republikane dhe nga Partia Socialdemokrate. Bëhet e ditur se Partia Socialiste pritet të propozojë emra të besuar të kryetarit aktual të kësaj partie, Edi Ramës, ndërkohë që të tjerët do të shkarkohen pasi janë përzgjedhur në periudhën kur kryetar i PS-së ishte Fatos Nano. Megjithatë, përbërja e re e KQZ-së pritet të qartësohet në fillim të vitit të ardhshëm, afat kur pritet të konstituohet ky komision.
Kodi
Në Kodin e ri Zgjedhor është parashikuar që Komisioni Qendror Zgjedhor të përbëhet nga 7 anëtarë. Dy anëtarë do të propozohen nga partia që ka numrin më të madh të vendeve nga partitë e maxhorancës qeverisëse, konkretisht nga PD-ja, ndërsa dy nga partia e opozitës që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend, pra nga PS-ja. Anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të maxhorancës qeverisëse, përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të maxhorancës. Anëtari i gjashtë do të zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës. Ndërsa kryetari i KQZ-së propozohet nga grupi parlamentar i partisë më të madhe të maxhorancës. Ky grup i paraqet Kuvendit një listë prej jo më pak se katër kandidaturash. Më pas grupi parlamentar më i madh i opozitës përzgjedh dy nga katër kandidaturat e paraqitura dhe këto dy kandidatura të përzgjedhura kalojnë për votim në seancë. Kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit.

Institucionet e pavarura kërkojnë më shumë fonde nga buxheti 2009

Përfaqësues të institucioneve të pavarura dhe përfaqësues të pushtetit vendor, të pranishëm gjatë ditës së djeshme në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, kanë kërkuar rritjen e fondeve në buxhetin e vitit 2009. Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, Albert Meçe, gjatë diskutimit të buxhetit të parashikuar për pushtetin gjyqësor për vitin 2009, u shpreh se është e nevojshme rritja e fondeve për shpenzimet operative që lidhen me blerjen e pajisjeve të nevojshme për mbarëvajtjen e punës. Meçe tha se me buxhetin e parashikuar nga Ministria e Financave, gjykata do ta ketë të pamundur që të paguajë internetin që është i nevojshëm për transparencën e vendimeve të këtij institucioni. Por, sipas Meçes, paratë nuk mjaftojnë edhe për të blerë letër e bojë. Edhe gjatë mbledhjes së kaluar, përfaqësues të institucioneve të tjera të pavarura si të KLD-së dhe të Prokurorisë së Përgjithshme kanë shprehur pakënaqësi për fondet e parashikuara për këto institucione në buxhetin e vitit 2009. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit Parlamentar të Ligjeve ishin të pranishëm edhe përfaqësues të pushtetit vendor. Por debati është përqendruar në kërkesat e deputetëve që kërkuan më tepër fonde për zonat e tyre elektorale. Kanë qenë dy deputetë të Partisë Demokratike, Sali Shehu dhe Dashnor Sula, të cilët kërkuan më shumë fonde për zonat e tyre elektorale. Deputeti socialist Besnik Dervishi u shpreh se ndarja e fondeve është bërë sipas mbështetjes politike.
“Fondet janë ndarë në mënyrë krejt politike pasi në zonën time elektorale shoh dy komuna të ngjashme me fonde krejt të ndryshme. Njëra ka dy herë më shumë se tjetra dhe të vetmin ndryshim që ka është kryekomunari, i cili është i PD-së”, - është shprehur Besnik Dervishi. Ndërsa zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, u shpreh: “Fondet ndahen me anë të një formule të veçantë, e cila ka për bazë territorin, numrin e popullsisë, rendimentin fiskal etj. Ndaj dhe fondet mund të duken si të mosbalancuara, por janë ndarë në bazë të kritereve të sakta”. Më tej, gjatë fjalës së tij, zëvendësministri bëri të ditur se në buxhetin e shtetit për vitin 2009 transferta për qeverisjen vendore arrin në 18 miliardë e 423 milionë, me një rritje prej 4 miliardë 439 milionë krahasuar me vitin 2008, ose 32 %.

20 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›