E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: “Do të pesëfishojmë kreditimet për fermerët”

09/06/2005  PD prezanton kandidatët në Rrëshen dhe Shënkoll

Partia Demokratike ka prezantuar dje në Shënkoll, të qytetit të Lezhës, kandidatin për deputet në zonën 16, Gjok Vuksani. Gjatë fjalës së tij, lideri demokrat Berisha u shpreh se me ardhjen e opozitës në pushtet do të pesëfishohet kreditimi për fermerët, si dhe uljen e çmimit të naftës në 40 lekë për bujqësinë. “Ju do të votoni për Gjok Vuksanin, intelektualin e shquar dhe njërin për njerëzve më të vendosur. Duke votuar për Vuksanin dhe për kandidatët e opozitës në të gjithë vendin, ne do të ndahemi nga kjo qeverisje e korruptuar, që na ka qeverisur këto tetë vjet. Ne ju garantojmë se gjatë qeverisjes sonë do të çlirojmë kreditimin. Çdo fermer do të ketë mundësi të marrë kredi për të çelur një biznes, për të ngritur një fermë, për të mobiluar shtëpinë apo për të ndjekur shkollën. Ju do të keni mundësi që t'i shndërroni fermat tuaja në njësi biznesi fitimprurëse. Unë ju garantoj ju se brenda mandatit tonë qeveritar ne do të shtrojmë 4 mijë km rrugë rurale. Unë ju garantoj gjithashtu se nga katër korriku, çdo fermer do ta blejë naftën vetëm me 400 lekë të vjetra”, tha Berisha. Turi i kryetarit të PD-së pas Shënkollit ka vazhduar dhe në Rrëshen, ku është prezantuar kandidati për deputet i PD-së në zonën 15, Xhovalin Prenga. Gjatë fjalës së tij, kreu demokrat i ka ftuar banorët e kësaj zone të votojnë kandidaturën e Prengës, me qëllim që Mirdita të bëhet pjesë e ndryshimit të madh. “Sot ¾ e shqiptarëve kërkojnë ndryshimin, sot ¾ e shqiptarëve kanë firmosur ndryshimin. Duke votuar për Xhovalin Prengën, ju votoni për veten tuaj, duke votuar për Xhovalin Prengën ju votoni për ndryshimin”, u shpreh Berisha. Gjatë fjalës së tij, ai tha se në qeverisjen e demokratëve do të ulet papunësia në nivelin e vendeve të zhvilluara, ndërkohë që arsimi do të zërë 4.2% të buxhetit”, tha Berisha. Në mbrëmje, lideri demokrat ka udhëtuar drejt Durrësit, ku në Rrashbull ka prezantuar kandidatin e zonës numër 27, Flori Bajrami, si dhe kandidatin e zonës 29, Genc Juka. Gjatë fjalës së tij, Berisha i ka kërkuar elektoratit që votat për aleatët t’i adresojnë për partitë aleate.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›