E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dypunësimi, shteti kërkon dy herë sigurimet shoqërore

09/06/2005  Shteti duhet të kthejë diferencën e pagesës, në rast se të dy punët e kalojnë nivelin e pagës 51 mijë lekë

Dypunësimi është i lejueshëm, por të gjithë ata që e kanë atë fat duhet të paguajnë sigurimet për të dy punët. Vendimi i Ministrisë së Financave në janar të këtij viti përcakton qartë se të gjithë ata që kanë dy punë, duhet të derdhin sigurimet shoqërore dhe tatimin mbi të ardhurat për të dyja punët. “Në qoftë se një nga punëmarrësit punon në dy punë, atëherë për këtë punëmarrës, secili prej punëdhënësve të tij llogarit dhe paguan kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore, njësoj sikur personi të mos ishte i punësuar në punëdhënës tjetër”, thuhet në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, të publikuar në Fletoren Zyrtare. Ndërkaq, ligji parashikon se shteti të siguron pensionin maksimal mbështetur në pagën më të lartë prej 51 mijë lekësh. Mbi këtë pagë shteti nuk mund të llogarisë pensionin dhe, sipas ligjit, kushdo që paguan sigurime mbi këtë nivel duhet t’i kthehet pjesa e llogaritur tepër në fund të vitit. Pikërisht këtu fillon problemi. Në rastet kur shuma e të dyja pagave është mbi pagën maksimale, atëherë kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore llogariten deri në këtë kufi, pra në rrogën maksimale. Por shpesh, dypunësimet e kalojnë kufirin e 51 mijë lekëve në muaj dhe punëdhënësit janë të detyruar mbështetur në ligj të paguajnë sigurimet shoqërore në adresë të Institutit të Sigurimeve. Por kur vjen puna për të kthyer sigurimet e paguara tepër, paratë duhet t’i kthejë punëdhënësi, që, ndërkaq lekët i ka derdhur në arkën e tatimorëve. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave, “Kur rezulton që kontributi total i paguar për të njëjtin person nga të dy punëdhënësit është më i madh se kontributi i llogaritur mbi pagën maksimale të miratuar, punëmarrësit i rimbursohet diferenca në mënyrë proporcionale nga të dy punëdhënësit, brenda 30 ditëve nga zbulimi i mbipagesës apo njoftimit të këtij të fundit. Në këtë rast, organi tatimor do të njoftojë Institutet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore”, bëhet e ditur në Fletoren Zyrtare.

Kështu duket se shteti ka vendosur të mbledhë sigurimet shoqërore nga çdo i punësuar për të formalizuar tregun e punës, por dhe për të rritur të ardhurat në buxhet. Por ky proces paraqet vështirësitë e veta, pasi mekanizmi i vendosur për të kompensuar të punësuarin që e paguan dy herë të njëjtën faturë, nuk është efikas.

Utopia e pagimit dy herë të sigurimeve

Ligji i sigurimeve për dypunësimin duket se prek më shumë të punësuarit në sektorin shtetëror. Në këtë sektor, supervizimi i shtetit është më i lartë se në sektorin privat dhe duket se ky është sektori që ka dhe volumin më të madh të pagesave në sigurimet shoqërore. Nga ana tjetër në sektorin privat janë të punësuar pjesa më e madhe e njerëzve, të cilët rrallëherë deklarojnë pagën e tyre të vërtetë. Aq më pak mund të pritet që të punësuarit e këtij sektori që kanë dy punë, deklarojnë të ardhurat dhe sigurojnë pagën në të dyja punët. Aktualisht mund të thuhet me siguri se pjesa më e madhe e sektorit privat është e zhytur në informalitet, për sa i takon pagesës së sigurimeve shoqërore. Niveli i ulët i mbledhjes së kësaj takse ka bërë që shteti të fillojë një luftë me punëmarrësit, për t’i detyruar ata të paguajnë sigurimet e punonjësve të tyre. Kështu të gjithë ata që kanë një biznes duhet të deklarojnë numrin e të punësuarve dhe nivelin e pagës së tyre dhe punonjësit e tatimorëve që duhet të mbledhin këtë tatim, bëjnë kontrolle të herë pas hershme në lidhje me vërtetësinë e deklaratave të bizneseve. Megjithatë mbetet gjithnjë një proces i vështirë të kontrollosh dhe të menaxhosh dypunësimin, që me sa duket hë për hë do të mbetet në ndërgjegje të punëdhënësve dhe punëmarrësve.

Përcaktimet në udhëzim

Në qoftë se një nga punëmarrësit punon në dy punë, secili prej punëdhënësve të tij (llogarit dhe paguan kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore, njësoj sikur personi të mos ishte i punësuar në punëdhënës tjetër).

Kur rezulton që kontributi total i paguar për të njëjtin person, nga të dy punëdhënësit është më i madh se kontributi i llogaritur mbi pagën maksimale të miratuar, punëmarrësit i rimbursohet diferenca në mënyrë propocionale nga të dy punëdhënësit, brenda 30 ditëve nga zbulimi i mbipagesës apo njoftimit të këtij të fundit.

Në këtë rast, organi tatimor do të njoftojë Institutet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›