Mediu prezanton kandidatin e zonës 50 në Rrogozhinë
09/06/2005 Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka udhëtuar dje drejt Rrogozhinës, ku ka prezantuar kandidatin për deputet në zonën 50 të kësaj partie, që do të garojë në proporcional. Gjatë fjalës së tij, Mediu i ka kërkuar elektoratit që në mazhoritar të votojnë për kandidatin e PD-së, Luan Skuqi, ndërsa në proporcional votat t’i kalojnë kandidatit të PR-së. Kreu i PR-së tha se vetëm alternativa e opozitës mund ta nxjerrë vendin nga kriza ku e ka zhytur qeverisja e majtë në këto tetë vjet. “Fatos Nanos nuk i intereson integrimi i vendit, sepse integrim do të thotë luftë kundër korrupsionit, trafiqeve dhe monopoleve të të gjitha llojeve. Këto fenomene janë përqëndruar në duart e tij dhe të klanit të tij, të cilët pasurohen çdo ditë pikërisht në kurriz të shqiptarëve. Ka ardhur koha që t'i themi ndal këtij revanshi, që po na largon çdo ditë e më shumë nga Perëndimi, që çdo ditë e më shumë po varfëron shqiptarët. Pra, votoni për opozitën dhe kandidatët e saj, votoni ndryshimin”, tha Mediu.