E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do të punësojmë 7 mijë veta në Gramsh

Kryeministri Sali Berisha vazhdoi fushatën elektorale në Gramsh, duke mos kursyer sulmet ndaj rivalit të tij politik, kreut të PS-së, Edi Rama. "Thirrja ime për të gjithë ju, për të gjithë socialistët, për anëtarët e partive të tjera, për të gjithë gramshiotët pa parti, është të mos harroni se Edi Rama në Parlamentin shqiptar votoi kundër koncesionit të Kaskadës së Devollit, kundër të gjitha koncesioneve", tha Berisha. Teksa kërkoi të mos harrohet gjithashtu se Rama votoi kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve në muajin prill, kur qeveria kishte parashikuar rritjen më të madhe të tyre. "Në një rast unik dhe të paprecedent, Edi Rama, që me grupin e vet drejtues i kanë rrogat e tyre miliona lekë, kërkonte që të mos rrisja rrogat tuaja, të mos rrisja pensionet tuaja", tha Berisha. Kryeministri Berisha shtoi se në katër vitet që lamë pas, qeveria që ai drejtoi ka investuar 6.8 herë më shumë sesa qeveria socialiste. "Por sot unë nuk jam këtu për të numëruar me dhjetëra e dhjetëra rrugë, shkolla, ujësjellës që ne kemi ndërtuar, por jam këtu për t‘u zotuar para jush, se në katër vitet që vijnë ne do të asfaltojmë çdo rrugë të këtij rrethi, çdo rrugicë të lagjeve tuaja", u shpreh Kryeministri. Jam sot këtu, vijoi ai, për t‘u zotuar se në katër vitet që vijnë ne do të ndërtojmë në çdo fshat të këtij rrethi dhe do të fusim ujin e pijshëm brenda çdo familjeje. "Jam këtu për t‘u dhënë fjalën se në 4 vitet që vijnë, të gjitha shkollat e Gramshit do të jenë të reja ose të rindërtuara", tha Berisha. Ai ngulmoi se në 4 vite, fondi i ndihmës ekonomike u rrit nga 7 miliardë në 13,9 miliardë. "Por besoj se gjëja më e madhe që ne realizuam në këto 4 vite është horizonti i ri që hapëm para Gramshit dhe gjithë Shqipërisë për 4 vitet që do të vijnë", shtoi Berisha. Shefi i qeverisë rikujtoi hyrjen e Shqipërisë në NATO, dyfishimin e rrogave dhe pensioneve dhe ndërtimin e 5900 km rrugë, për të kërkuar votën e gramshiotëve më 28 qershor. "Gramsh europian do të thotë para së gjithash që qytetarët e Gramshit të kenë punë. Unë ju garantoj ju se në 4 vitet që vijnë, vetëm me HEC e Banjës dhe me hidrocentrale të tjera të kaskadës së Devollit do të punësohen rreth 7000 punonjës", konstatoi Berisha. Por ky është vetëm njëri, tha ai, nga një seri hidrocentralesh të tjera, të cilat janë në ndërtim e sipër apo nisin ndërtimin. "Gjithashtu, disa hidrocentrale të vogla, me kapacitet nga 4,7 deri në 20 megavat, hynë të gjitha në prodhim brenda këtij mandati. Dhe që të gjitha së bashku janë të barabarta me HEC e Ashtës", premtoi Berisha.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›