E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mëhilli: Islami gënjeu për letërnjoftimet

Partia Demokratike bëri me dije dje se kanë aplikuar për kartat e identitetit 1.3 milionë shtetas dhe përgënjeshtroi pretendimet e opozitës se në listën e zgjedhësve ndodhen shumë të vdekur. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, përgënjeshtroi deklaratat e PS-së lidhur me pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime. Për sa i takon rastit të bërë publik nga deputeti socialist, Kastriot Islami, për Shqype Hasibrën, që është 159 vjeçe, zëdhënësja Mëhilli bëri me dije se Ministria e Brendshme verifikoi rastin dhe rezultoi se kjo shtetase është gjallë, 60 vjeçe dhe jeton në fshatin Shkallnur, Komuna Rrashbull në Durrës. "Partia Demokratike është e hapur dhe mbështet çdo deklaratë e cila ndihmon në përmirësimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhësve, por nuk mund të pranojë që opinioni publik të manipulohet dhe të mashtrohet nga deklarata të tilla të pabaza", tha Mëhilli. Ministria e Brendshme sqaroi se numri i aplikimeve për kartën e identitetit ka shkuar në 1.3 milionë shtetas. Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, ka sqaruar se kompania koncesionare "Aleat" ka prodhuar 1 milion e 200 mijë karta, ndërsa janë tërhequr rreth 900 mijë letërnjoftime elektronike. "Kanë aplikuar 1 milion e 330 mijë shtetas dhe numri i shtetasve që kanë aktualisht kartën e tyre të identitetit është gati 900 mijë", tha Poni, zv/ministër i Brendshëm. Sipas tij, në pjesën më të madhe të qendrave të aplikimit në vend ka rënie të ndejshme të aplikimit të shtetasve pa pasaportë, përveçse në disa zona malore. Poni garantoi se, shtetasit që kanë aplikuar, do të kenë gati për në zgjedhje kartat e tyre të identitetit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›