E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do të qëndrojmë pranë çdo fëmije e vajze shqiptare për t'i mbrojtur nga trafikimi

Të premten u zhvillua takimi i radhës së Komitetit të Luftës kundër Trafiqeve, i kryesuar nga Ministri i Brendshëm, Sokol Olldashi dhe me praninë e Kryeministrit Sali Berisha dhe përfaqësuesve të tjerë të qeverisë dhe institucioneve të tjera.

Kryeministri Berisha u shpreh se ashtu siç ka një politikë për "zero tolerancë" ndaj krimit, do të ketë edhe një luftë të vendosur kundër trafikut të qenieve njerëzore. Fatëkeqësisht, tha ai, Shqipëria ka qenë deri tani burim i rëndësishëm trafiku, por edhe tranziti. Ky trafik njollos ndërgjegjien dhe vlerat tona familjare dhe sociale dhe nxin imazhin e Shqipërisë në botë. Ne do të bëjmë çdo përpjekje të mundshme për trajtimin me seriozitet maksimal të këtij fenomeni.

Z. Berisha siguroi se kjo është një nga prioritetet themelore të punës së qeverisë shqiptare, duke bërë të ditur se "ne kemi një strategji kombëtare, të realizuar në bashkëpunim me ekspertëtë ndërkombëtar, por kjo strategji nuk duhet të mbetet në letër, por duhet të implementohet në mënyrë funksionale. Në këtë drejtim, shtoi ai, duhet të përcaktohet harta dhe zonat e rrezikshmërisë së lartë për trafiqet. Është shumë e rëndësishme që të kemi në kontroll të vazhdueshëm të gjithë kontigjentit me rrezikshmëri të lartë trafikimi.

Kryeministri u shpreh se "ne duhet të qëndrojmë prapa çdo fëmije dhe çdo vajze shqiptare, për t'i mbrojtur nga trafikimi". Ne do të identifikojmë familjet në nevojë tha z. Berisha, ndërsa nënvizoi se ndëshkimet ligjore duhet të jenë proporcionale me krimin. Do të bëjmë përpjekje që të kthejmë të Shqipëri të gjithë fëmijët dhe vajzat e trafikuara. Për këtë, ne kemi nevojë për qendra më të mira të rehabilitimit dhe të riintegrimit të tyre në shoqëri.

Po ashtu, z. Berisha tha se qeveria vendore duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e saj. Ndërsa policia dhe të gjitha organet e tjera të zbatimit të ligjit duhet ta kenë luftën kundër trafikimit prioritet të punës së tyre. "Unë kam besim të madh se do ta vlerësoni përgjegjësinë e rëndësishme që keni. Vetëm rezultatet kanë vlerë, të tjerat mbeten në letër", tha kryeministri.

Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se duhet të ftohet dhe të inkurajohet edhe Shoqëria Civile dhe OJQ-të e ndryshme që të monitorojnë zbatimin e strategjisë, në mënyrë që të shmangim çdo raportim joreal. "Është i nevojshëm krijimi i komiteteve lokale, të njëjta me shembullin e këtij komitetit qendror të luftës kundër trafiqeve", theksoi z. Berisha.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›