Kryeministri Berisha viziton zonat e përmbytura nga reshjet në jug të vendit
Kryeministri Sali Berisha vizitoi të dielën zonat e përmbytura nga reshjet e ditëve të fundit në jug të vendit. Ai u ndal veçanërisht në Novoselë e Bisham të Vlorës. Z. Berisha u takua me përfaqësues të pushtetit vendor dhe të forcave të rendit e ushtrisë, të cilët po punojnë për përballimin e situatës dhe u interesua për gjendjen aktuale në këto zona dhe nevojat më emergjente për banorët.
Kryeministri falënderoi këto struktura për veprimin në kohë dhe me energji të tyre, duke bërë të mundur shmangien e dëmeve në jetë njerëzore. Z. Berisha u shpreh se duhet të evidentohen dhe merren masa për të ndihmuar çdo familje në rrezik përmbytjeje edhe më tej, përfshirë edhe evakuimin e tyre. Ai theksoi se në të gjithë vendin do të punohet për rregullimin e argjinaturave të lumenjve dhe nuk do të lejohen ndërtime mbi kolektorë, të cilët rrezikojnë jetën e banorëve në çdo kohë me reshje të shumta.
Kryeministri Berisha është takuar më tej me banorë të Novoselës dhe Bishamit, ku është njohur nga afër me vështirësitë dhe dëmet e tyre materiale që kanë pësuar. Ai i siguroi ata se kanë vëmendjen dhe angazhimin e plotë të qeverisë për t'i ndihmuar në këto ditë të vështira me ndihma në ushqime, veshje, medikamente, etj. që tashmë po vijnë për këto zona. Qeveria do të ndihmojë dhe do të përpiqet të zhdëmtojë brenda mundësive të saj, familjet e dëmtuara, u shpreh kryeministri.