E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haldeda: Reforma e pensioneve, ja tre orientimet

Zv.ministri i Financave, Nezir Haldeda, që kryeson edhe grupin e punës për reformën e pensioneve zbardh për MAPO-n disa nga orientimet ku do të fokusohet reforma e pensioneve

Skema aktuale e pensioneve përbën një presion në rritje për financat publike, prandaj reforma e shpejtë dhe e thellë në këtë sektor shihet si domosdoshmëri për zv.ministrin e Financave, Nezir Haldeda. Reforma në fjalë, shprehet Haldeda për MAPO-n, ka shumë gjasa të marrë jetë në vitin 2012. Aktualisht përpjekjet janë në fazën e mbledhjes së informacioneve, studimeve dhe debateve me grupet e interesit. Paraprakisht, sipas tij, është rënë dakord me Bankën Botërore, e cila do të kontribuojë në këtë projekt me ndihmë teknike. Haldeda argumenton se pikat ku duhet të synojë reforma e pensioneve është zvogëlimi i deficitit, që aktualisht rëndon buxhetin e shtetit dhe nxitja e qytetarëve për të bërë pjesë në skemën e kontributeve. Ai tha se reforma do shihet në perspektivë. “Mendojmë për të ardhmen, për një reformë të thellë dhe me perspektivë. Jemi në një moment që problematikat e akumuluara deri tani t’i reflektojmë në reformimin e sistemit. Së pari: prezantimi dhe sjellja në veprim e dy shtyllave të tjera të sigurimeve. Tre pilarët bazë që ka çdo sistem i sigurimeve shoqërore. Dhe së dyti, lidhja më e mirë e raportit kontribut-përfitim”, tha ai. Duke dhënë një shembull, zyrtari i Financave sqaron se sot dikush e ka rrogën 1 mln lekë dhe paguan 150 mijë lekë kontribute. Ndërsa ai që ka 200 mijë lekë rrogën, paguan shumë më pak. Kur të vijë koha e pensionit, nuk do të ketë diferencë dhe kjo nxit informalitetin, duke bërë që punonjësit privatë të mos jenë pjesë e skemës së sigurimeve shoqërore”, - sqaron Haldeda. Në këtë logjikë ai vazhdon argumentimin se, duke mos ndjerë këtë nxitje, personat që paguhen me pagë të madhe, janë të prirur të aplikojnë një pagë minimale për të paguar kontribute minimale. Në këtë mënyrë, sipas tij, në qoftë se skema do t’i kishte nxitur për një raport të mirë mes kontributeve dhe përfitimeve, ata do të investonin më shumë. “Një pjesë e madhe e faktorit rishpërndarës në skemë është se janë rritur pensionet, sidomos ata që kanë qenë të ulët, pasi në fshat ka pasur pensione minimale me 200-300 lekë. Ka pensione që rriten më shumë, ka që rriten më pak dhe kjo nuk i ndihmon lidhjes kontribut-përfitim. Ajo që synohet është të krijohet një raport i drejtë kontribute-përfitime. Që do të thotë, ai që derdh më shumë kontribute do të ketë më shumë përfitime dhe ai që derdh më pak kontribute, do të ketë më pak përfitime”, - thotë Haldeda. Por një nga sfidat kryesore që i dalin përpara kësaj reforme, sipas tij, është konsensusi i gjerë politik dhe shoqëror. “Qeveria mund ta miratojë këtë me një shumicë të thjeshtë, por ajo duhet të përcaktohet për dekada. Flasim për ndërmarrje që atakojnë breza. Komunikimi me grupet e interesit është i rëndësishëm. Reforma do të ketë efekte mbi kapitale, tregun e punës. Është e vështirë si reformë, por duhet bërë shpejt, pasi edhe situata globale i shton një nevojë më shumë. Në disa vende e kanë përshpejtuar”, - shprehet Haldeda. Sipas tij, ajo që nuk duhet të bëhet është politizimi i çështjes.

Reforma e pensione, ja ndërhyrjet e reja

Do të aktivizohet sistemi tre shtyllësh

Do të rregullohet raporti kontribute-përfitime

Do të korrektohen gabimet e bëra ndër vite në skemë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›