E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria: 25 raste të reja me grip derri në një ditë, trendi, në rritje



Brenda një dite 25 raste të reja janë konfirmuar me gripin e derrit, duke e çuar numrin e rasteve në 121, sipas drejtorit të përgjithshëm të Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, prof. dr. Pëllumb Piperos. Prej ditës së djeshme, MSH nuk do të raportojë më numrin e rasteve të prekura, pasi pritet që ky numër të rritet me hapa gjigandë gjatë ditëve në vijim, kur pritet të jetë edhe fluksi më i madh i përhapjes së gripit të derrit.

“Kur numri i të prekurve kalon 100, nisur dhe nga praktikat e vendeve të tjera, nuk raportohen më raste të reja, por ato më të vështirat”, - tha dje në një konferencë për shtyp drejtori Pipero.

Nga të dhënat e fundit, sipas drejtorit Pipero, nuk ka raste të reja me virusin A/H1N1 në shkolla, përfshirë dhe situatën në rrethin e Matit. “Gjendja shëndetësore e pacientit me virus A/H1N1 (një ndër rastet e para të komplikacioneve) i cili po ndiqet pranë spitalit “Shefqet Ndroqi”, paraqitet e përmirësuar”, - bëri të ditur ai.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, institucionet shëndetësore janë duke marrë informacionin e nevojshëm nga të gjitha shkollat e vendit (publike ose private). Në asnjë rast nuk flitet për mbyllje të klasave apo shkollave të caktuara.

“Ndërkohe, për sa i takon influencës stinore, dy ditët e fundit ka pasur një fluks pacientesh. Rreth 10-15 për qind e rasteve me gripin stinor kanë pasur infeksione të rrugëve të frymëmarrjes. Institucionet shëndetësore po përballen me një situate gripale, e cila ishte parashikuar për periudhën dhjetor-janar. Rreth 50 për qind e rasteve të ekzaminuara deri tani kanë qenë influencë stinore”, - tha Pipero.

Periudha e përhapjes së gripit sezonal shihet si periudha kur do të ketë edhe përhapje më të gjerë virusi A/H1N1.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›