E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Dëbim pacientëve që tymosin në spitale



Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, deklaroi dje se të gjithë pacientët që do të kapen duke pirë cigare ose alkool në qendrat shëndetësore parësore, spitale apo në qendrën terciare spitalore, nuk do të marrin kurimin e mëtejshëm nga këto institucione dhe do të dëbohen, si masë ndëshkimore për kundravajtjen ndaj ligjeve në fuqi.

Ky vendim është marrë përpara pak ditësh nga Ministria e Shëndetësisë dhe u bë publik vetëm dje, gjatë takimit të ministrit Vasili me specialistë, gjatë tryezës së rrumbullakët për hartimin e kartës së të drejtave të pacientëve.

“Në rast se në spitalet tona një pacient i shtruar do të verifikohet që është konsumator i duhanit dhe alkoolit në kohën që ai është i shtruar në spital, ky pacient nuk do të vazhdojë të trajtohet në spital”, - u shpreh ministri i Shëndetësisë.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për hartimin e një karte ambicioze, sipas të pranishmëve, që do të sigurojë të gjitha të drejtat e nevojshme për pacientët që vizitohen e kurohen në sistemin shëndetësor të vendit tonë.

Ministri Vasili u shpreh se këto të drejta universale të qytetarëve, që disa herë shkelen nga mjekët, infermierët dhe stafi tjetër i institucioneve shëndetësore, tashmë do të mbrohen edhe me një ligj të posaçëm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›