Berisha: Do të vazhdojmë rritjen e pagave të infermierëve
Reformimi i sistemit shëndetësor është cilësuar si “prioriteti i të gjitha prioriteteve” të qeverisë së pas 28 qershorit nga Kryeministri i vendit, z. Sali Berisha, nëse mazhoranca aktuale do të fitojë një mandat të dytë. Deklarata e tij u bë gjatë Konferencës Kombëtare të Infermierëve që u zhvillua dje në Tiranë, ku Kryeministri Berisha premtoi se do të vazhdojë procesin e rritjes së pagave, krahas thellimit të reformave në këtë sektor, “jetik për qytetarin shqiptar dhe për fëmijët e tij”. Në të njëjtën kohë, kryetari i Urdhrit të Infermierit, z. Sabri Skënderaj, kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë që të përgatisë bazën ligjore për stazhin e infermierëve. Ai kërkoi që të gjithë të sapodiplomuarit të bëjnë 6 muaj stazh profesional në poste të përcaktuara nga shteti.
Rritje page
Kryeministri Berisha deklaroi se rritja e pagave, që kulmoi me dyfishimin e tyre më 1 maj, do të vazhdojë. “Katër vite më parë ishte shumë e dhimbshme për mua kur mendoja se çfarë pune bëni ju, ndaj vendosëm të 2-fishojmë pagat tuaja. Sot, duke filluar nga 1 maji, rrogat tuaja janë të 2-fishuara. Unë ju garantoj ju se ky proces do të vazhdojë me vendosmëri të madhe, sepse ju e meritoni plotësisht shpërblimin për punën që bëni”, – premtoi Kryeministri, duke deklaruar se reforma që ka nisur të zbatohet në këtë sektor, do të mundësojë zhvillimin e një sistemi shëndetësor në shërbim të qytetarëve.
“Ju jeni punëtorët e dhembjes, të vuajtjes, të sakrificës njerëzore. Në bindjen time më të thellë nuk ka shërbim shëndetësor që mund të arrijë cilësinë e duhur dhe nuk ka reformë të sistemit shëndetësor pa ju, pa rolin tuaj dhe pa vendosjen tuaj në lartësitë e misionit të madh që ju keni”, - u shpreh z. Berisha.
Në këtë takim, ministrja e Shëndetësisë, Godo, theksoi se angazhimi dhe ndërhyrja e qeverisë vitet e fundit nuk ka qenë vetëm në sistemin e pagave për këtë kategori, por edhe në shtimin e numrit të infermierëve me arsimin përkatës. Ministrja e Shëndetësisë tha: “Shkollat e larta të Infermierisë janë shtrirë në më se gjashtë qytete të vendit, ndërsa në vitin 2005 kemi rreth 400 mijë infermierë të rinj, me një tendencë rritjeje për çdo vit, deri rreth 1166 infermierë për çdo vit, duke arritur në 32 infermierë në 100 mijë banorë, raport i përafërt me atë të Evropës”.
Stazhi
Nga ana tjetër, presidenti i Urdhrit të Infermierëve, Sabri Skënderaj, kërkoi që të vendoset sistemi i stazhit për të sapodiplomuarit. “Personat e diplomuar të punojnë 6 muaj me mbikëqyrje dhe pas testimit Etiko-Profesional, t’u jepet leja e ushtrimit të profesionit. Të mos lejojmë që ky formim të kthehet në biznes, por në vlerë për t’i shërbyer sa më mirë kombit”, - tha presidenti i UISH, Sabri Skënderaj.
Ai deklaroi se personeli i mesëm i kujdesit shëndetësor tashmë ka një kod etik të tyrin. Ndërkohë që kërkohet më shumë profesionalizëm. Aktualisht, në të gjithë vendin punojnë 13 mijë infermierë, duke përbërë kështu rreth 70% të punonjësve në sektorin e shëndetësisë. Urdhri i Infermierit shërben për licencimin dhe trajnimin e vazhdueshëm të infermierëve.
Arsimi
-Në vitin 1999, vetëm 1.8% e infermierëve ishin me shkollë të lartë.
-Në vitin 2005 kemi një rritje 3% dhe në 2008-n rreth 8%, me tendencë në rritje.
Rritja e pagave
-Në vitin 2008, në krahasim me vitin 2005, ka pasur një rritje mesatare prej rreth 60.1% të pagave të infermierëve (80% për infermierët e QSUT-së, 65% të shërbimit parësor dhe 38% të spitaleve), pa llogaritur këtu parashikimin e bërë për këtë vit.
-Në të gjithë vendin punojnë 13 mijë infermierë.
-70% e punonjësve në sektorin e shëndetësisë janë infermierë.