E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Argita” si standard i (pa)pranueshëm



Nga Nebil Çika

Duket se para zgjedhjeve opozita politiko-mediatike e z. Rama nuk duket se është e aftë të ofrojë ndonjë alternativë qeverisëse për shqiptarët. Pretendimi për program politik nga zoti Rama deri tani ka rezultuar një mashtrim, pasi askush, edhe brenda strukturave drejtuese të PS-së, nuk ka dijeni për një të tillë. Fakti më i qartë për këtë situatë është pa dyshim rikthimi i propagandës katër vjet më parë, me alibitë e fillimit të këtij mandati qeverisës, tek lufta kundër familjes së Kryeministrit. Dua të rikujtojmë se familja e Kryeministrit Berisha, në mënyrë të veçantë, e bija e tij Argita, ka qenë në qendër të sulmeve të opozitës që me ardhjen në pushtet të të atit në vitin 2005. Politikanë dhe media të opozitës u morën shumë me pasurinë e familjes së saj, edhe pse ajo ishte e ligjshme, e deklaruar dhe mbi të gjitha, e siguruar kur Sali Berisha ishte në opozitë. Duhet thëne se Argita Malltezi (Berisha) vendosi një standard për sa i përket transparencës së familjarëve të pushtetarëve, duke deklaruar që në fillim të mandatit qeverisës të të atit pasurinë e saj. Deri atëherë, askush nuk e dinte se me çfarë merreshin, sa para e pasuri kishin familjarët e kryeministrave apo të pushtetarëve paraardhës. Mirëpo standardi i vendosur nga Argita nuk u prit mire nga opozita e majtë, e cila nuk mund ta paranojë e natyrisht edhe ta besojë që fëmijët e politikanëve mund të punojnë, madje edhe të fitojnë konsiderueshëm pa ndihmën e baballarëve. Argita e dëshmoi këtë duke prishur kështu një “standard” tjetër që kishte dominuar gjatë qeverisjes së socialistëve, kur fëmijët e pushtetarëve duhet vetëm të prishnin milionat e siguruar nga prindërit politikanë. Pikërisht, kontrasti që krijoi me standardin e saj zonja Malltezi, ishte ajo që e majta shqiptare nuk e kapërdiu dot, pasi kërcënonte drejtpërdrejt mënyrën e tyre familjare e shoqërore të funksionimit. Për t’u kthyer edhe një here në krye të argumentit, por edhe të fillimit të mandatit qeverisës të Berishës, dua të kujtoj se me gjithë përpjekjet politiko-juridiko-mediatike të opozitës dhe institucioneve shtetërore të kontrolluara prej saj nuk u arrit të artikulohej asnjë akuzë e vetme juridike ndaj familjes së Kryeministrit, sidomos shënjestrës kryesore, vajzës së tij. Pas kësaj u duk se historia me vajzën do të mbyllej, po duket se nuk ishte e thënë që opozita të hiqte dorë nga kjo luftë propagandistike, sa mashtruese, aq edhe e pështirë. Nuk besoj se mund të gjendet i afërm i Kryeministrit që të mos jetë akuzuar nga mediat e majta me akuzat nga më fantastiket, gjë që e ka bërë bajate dhe të pabesueshme edhe sikur ndonjëra prej tyre të jete e vërtetë. Por, unë mendoj se opozita nuk ka rrugë tjetër përveç një opozite të tillë sipas parimit “gënje, gënje, se diçka do të mbetet”. Në mungesë të ideve dhe alternativave politike, përpjekjet për diskreditimin dhe përbaltjen personale të familjarëve të Kryeministrit janë e vetmja mënyrë e opozitës “Rama” për të fshehur dështimin. Natyrisht që familja përbën një nga kontrastet më të mëdha politike mes të majtës dhe të djathtës në të gjithë botën, ndërkohë që e majta jonë ish-komuniste ka probleme edhe më të mëdha në këtë aspekt. Vetë gjendjet familjare të lidershipeve respektive të majta e të djathta e dëshmojnë qartësisht atë. Në këtë këndvështrim, fushata propagandistike e opozitës kundër familjes Berisha i kalon dukshëm kufijtë dhe motivet e luftës politike. Notat e urrejtjes të evidentueshme lehtësisht në artikulimet e akuzave politiko-mediatike flasin për një situatë dëshpërimi të artikuluesve. Kjo situatë në lidershpin e majtë duket më e renduar aktualisht edhe për shkak të pamundësisë së deklaruar për të fituar zgjedhjet. Gjithsesi, me kundërshtimin e këtij standardi dhe shijen e keqe që të lë kjo lloj opozite apo politike e së majtës shqiptare, nuk mund të pritet të ketë ndonjë efekt elektoral. Por ndërsa opozita nuk mund ta pranojë standardin “Argita”, shumica e shqiptarëve e pranojnë dhe e mbështetin atë. Ajo që shqiptarët përfituan nga fushata katërvjeçare e denigrimit publik të familjes së Kryeministrit është pa dyshim informacioni për ekzistencën e një standardi tjetër të funksionimit të një familjeje pushtetari apo politikani në Shqipëri. Shqiptarët tani kanë mundësinë të shikojnë se fëmijët e politikanëve dhe pushtetarëve nëse janë të aftë fizikisht dhe mendërisht normalë, mund të jetojnë, punojnë e madje edhe të pasurohen pa pasur nevojë për ndihmën, paratë apo pushtetin e prindërve të tyre. Argita Malltezi ka katër vjet që e ka dëshmuar një realitet të tillë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›