Berisha: Do të vërshojnë investimet
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, apelon nga Burreli për luftë të pamëshirshme kundër fenomenit të korrupsionit në Shqipëri. Berisha vëren se dallimi i situatës së sotme me vitet 2004-2005 është shumë i dukshëm. Por sipas Berishës, beteja antikorrupsion do të vazhdojë deri në shtyllat e tij. Kryeministri gjatë kurorëzimit të disa prej veprave publike të qeverisë në Burrel, vuri në dukje arritjet antikorrupsion, duke vënë theksin mbi atë që beteja do të vazhdojë deri në majën e shtetit. Berisha vuri në dukje se “një vend i cili ul taksat më shumë se askush në Evropë, që mbledh të ardhura çdo vit rreth 23 për qind më shumë, do të thotë që i ka bërë një luftë të vendosur dhe të pamëshirshme korrupsionit në shtyllat e tij kryesore”. “Ne, - shtoi ai, - kemi mundësitë t’i bëjmë këto investime, sepse në tre vjet, edhe pse duke ndjekur politikën e uljes së taksave, ia kemi dalë të mbledhim të ardhura 3.2 miliardë më shumë. Të gjitha këto u mblodhën, sepse nuk u vodhën, ashtu siç ndodhte më parë dhe nuk shkuan në xhepat e kontrabandistëve, evazorëve, zyrtarëve, por në arkën tuaj”, - tha Kryeministri. Kryeministri u shpreh optimist dhe i sigurt se kjo qeveri do të vazhdojë ta zhvillojë vendin me ritme më të shpejta, duke vënë në dukje se Shqipëria e mori ftesën për anëtarësimin në NATO dhe do të anëtarësohet në të dhe ajo u ngjit në çatinë e botës për sa i përket klimës së biznesit. “Ky vlerësim sjell vërshimin e investimeve, për të cilat vendi ynë ka nevojë më shumë se çdo vend tjetër në Evropë, sjell besim të madh te ky vend, te kjo qeveri, e cila është e vendosur të bëjë çdo reformë për të garantuar investimet e huaja në Shqipëri dhe për të lehtësuar punën e tyre. Investimet janë pasuri, begati, zhvillim. Një lajm i cili mund të duket i largët, në të vërtetë është lajmi më i mirë. Të jeni të sigurt se pas ftesës për anëtarësim në NATO, për çdo shqiptar, kudo që jeton ai, në Tiranë apo në Tropojë, në fshat apo në qytet, investimet janë leva e Arkimedit për zhvillimin e vendit”, - tha Kryeministri Sali Berisha. Gjatë qëndrimit në rrethin e Matit, Kryeministri mori pjesë dje në përurimin e përfundimit të punimeve për rikonstruksionin e ujëmbledhësit Bazë, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë 65 milionë lekë. Gjithashtu, ai mori pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve për rikonstruksionin e plotë të shkollës së mesme “Pjetër Budi” në këtë qytet. Projekti i rikonstruksionit është investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 55 milionë lekë. Kryeministri tha se përmes këtij investimi shkolla e mesme do të shndërrohet në një shkollë moderne, me të gjitha kabinetet dhe pajisjet e nevojshme të reja. “Ne zotohemi që çdo fëmijë shqiptar do t’i ketë dyert e hapura për të ndjekur universitetin. Ne do të mundohemi që ata, kudo që të ndodhen, të kenë mundësi të vazhdojnë shkollë fillore, të mesme e më pas universitetin”, - u shpreh Kryeministri.