Berisha përuron universitetin “monark”
Një universitet i ri në Shqipëri, i ndërtuar në vendlindjen e Mbretit dhe që mban emrin e Mbretëreshës së shqiptarëve. Duke e vlerësuar si një personalitet ndër më të respektuarit në tërë historinë kombëtare, Kryeministri Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e përurimit të Universitetit “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” në Burrel, një iniciativë private. Kryeministri Berisha vlerësoi se e veçanta e këtij universiteti është se pjesë përbërëse e tij është edhe shkolla e mesme. Kryeministri i shprehu gjithashtu vlerësimet stafit pedagogjik për cilësinë e mësimdhënies, e dëshmuar kjo në rezultatet shumë të mira që nxënësit e saj arritën këtë vit në maturën shtetërore. Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, vizitoi mjediset e shkollës së mesme dhe universitetit, laboratorët e ndryshëm të shkencave të natyrës, kabinetin e informatikës, si dhe u takua me nxënës, mësues dhe pedagogë.