Lushnjë, aksidentohet për vdekje drejtuesi i motorit
Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur dje në autostradën Lushnjë-Fier, në vendin e quajtur pushimi i shoferit. 58- vjeçari Sokrat Gjini nga fshati Këmishtaj, ka qenë duke udhëtuar me motor në çastin kur po kalonte nga njëri krah i autostradës në tjetrin. Sipas dyshimtarëve në vendin e ngjarjes, 58- vjeçari Gjini i ka prerë rrugën krejt papritur automjetit tip fuoristradë me targa të Kosovës 466 KS 898. Si pasojë e kësaj përplasjeje, drejtuesi i motorit ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Policia, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ka dalë në konkluzionin se ka qenë vetë drejtuesi i motorit ai që i ka prerë rrugën menjëherë dhe që udhëtonte pa skafandër. Në këtë ngjarje kanë shkuar uniformat blu të qarkullimit rrugor si dhe ato të policisë së rendit. Ndërkohë, në mbështetje të viktimës banorët e fshatit Këmishataj dhe të zonave përreth kanë deklaruar se këtë fat mund ta ketë kushdo në autostradën e ndërtuar së fundmi. Banorët e kësaj zone fajësojnë qeverinë për mungesën e mbikalimit në këtë vend, i cili është shumë i ngarkuar. Ata kanë kërkuar marrjen e masave urgjente për ndërtimin e nënkalimeve, pasi banorët ndihen në rrezik. Banorët kanë treguar se janë më shumë se 30 të vdekur në këtë autostradë, qëkurse ajo është ndërtuar. Sipas tyre, kalimi në këtë aks është i detyrueshëm pasi tokat bujqësore janë në anën tjetër të fshatit. Ndërkohë, banorët kërkojnë përshpejtim të investimeve në nënkalime, ndërsa kërcënojnë se do të ndërmarrin një protestë masive deri në zgjidhjen e problemit të tyre. Disa mbikalime të vendosura në këtë autostradë nuk zgjidhin problemin e banorëve, pasi ata duhet të shkojnë me mjete primitive deri tek tokat për të kryer shërbimet e përditshme. Shumë prej banorëve shprehen se janë të trembur të dërgojnë në shkollë fëmijët, pasi këta të fundit nuk janë të sigurt.