E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Doganat, tatimet dhe prokurimet publike, do të zhvishen tërësisht nga konflikti i interesit me politikën

Kryeministri Sali Berisha deklaroi të premten se në asnjë segment të sektorit të doganave, tatimeve dhe të prokurimeve publike në Shqipëri, nuk do të punësohen persona që kanë lidhje familjare me qeveritarët aktualë dhe ish-qeveritarë.

Gjatë mbledhjes së rradhës së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha bëri të ditur se po përgatitet vendimi për këtë qëllim, i cili do të miratohet në mbledhjen e ardhshme të kabinetit qeveritar, duke përmbushur kështu edhe një premtim elektoral.

"T'i lëmë të qeta këto institucione nga telefonat e pushtetit, nga ndikimet. E kemi premtuar dhe kjo do të kthehet në realitet në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave, sepse përqëndrimi i influencave në këta sektorë është shumë i papërshtatshëm për vendin", deklaroi z.Berisha.

Kryeministri bëri të ditur se kjo iniciativë nuk ka marrë shkasë nga raste të raportuara për emërime të tilla në këta sektorë gjatë kësaj periudhe të qeverisjes, por sipas tij, është më mirë të ekzistojë ky vendim që të mbrojë këto institucione nga influencat e panevojshme politike dhe t'i lërë ato të punojnë të qeta në përputhje me ligjin.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›