E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria miraton disa ndryshime në vendimin për funksionimin e Këshillit Kombëtar të Punës

Kryeministri Sali Berisha deklaroi të premten, gjatë mbledhjes së rradhës së Këshillit të Ministrave, se Këshilli Kombëtar i Punës duhet të ketë zërin e tij në të gjitha vendimet që merren, si për buxhetin ashtu edhe për vendime të tjera që kanë të bëjnë me interesat e punonjësve.

Duke mirëpritur vendimin e propozuar nga Ministri i Punës,Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta "Për disa ndryshime e shtesa në vendimin nr.730, datë 6.11.2003, të Këshillit të Ministrave, "Për funksionimin e Këshillit Kombëtar të Punës dhe për përcaktimin e përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave në këtë këshill"", z.Berisha vlerësoi rëndësinë e këtij institucioni dhe shtroi nevojën e konsolidimit dhe të funksionimit me efikasitet të tij.

"Ky Këshill është i domosdoshëm edhe për faktin se sindikatat dhe komponentët përbërës duhet të ushtrojnë pushtetin e tyre, në mënyrë institucionale dhe për këtë arsye unë e mirëpres këtë vendim të propozuar nga ministri i Punës", deklaroi z.Berisha.

VENDIM

Për disa ndryshime e shtesa në vendimin nr.730, datë 6.11.2003, të Këshillit të Ministrave, "Për funksionimin e Këshillit Kombëtar të Punës dhe për caktimin e përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave në këtë Këshill"

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 4, 6 e 9, të nenit 200, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, "Kodi i Punës së republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve,Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Në vendimin nr.730, datë 6.11.2003, të Këshillit të Ministrave, të bëhen këto ndryshime e shtesa:

1. Paragrafi i parë, i pikës 5, ndryshohet, si më poshtë vijon:

"Përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave, anëtarë të Këshillit Kombëtar të Punës, janë:

- Ministri i Punës,Çështjeve Sociale dhe Shanceve të Barabarta;
- Ministri i Financave;
- Ministri i Shëndetësisë;
- Ministri i Arsimit dhe Shkencës;
- Ministri i Drejtësisë;
- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës;
- Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.".

2. Në fund të pikës 10, shtohet shkronja "e", me këtë përmbajtje:

"e) Komisioni i Shanseve të Barabarta.".

3. Në pikën 12 fjalët "...më shumë se 8 anëtarë...", zëvendësohen me "... jo më shumë se 8 anëtarë...".

4. Pika 17 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"17. Fondi i dhënë nga buxheti i shtetit për Këshillin Kombëtar të Punës caktohet si zë i veçantë në buxhetin e Ministrisë së Punës,Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Ky fond përdoret kryesisht për:

a) përballimin e shpenzimeve të mbledhjeve të KKP-së;
b) komisionet e specializuara të përhershme të tij;
c) funksionimin e zyrave shtetërore të pajtimit;
ç) organizimin dhe pjesëmarrjen në konferencat tripalëshe;
d) publikime, për të cilat vendos KKP-ja".

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

KRYEMINISTRI
SALI BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›