E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Laprakës, autori sot para gjykatës

 

TIRANE - Gjykata e Tiranës pritet të zhvillojë paraditen e sotme seancën e caktimit të masës së sigurisë për 22- vjeçarin, Donald Pregapuca, me origjinë nga Përmeti dhe banues në kryeqytet, i arrestuar për vrasjen e 23-vjeçarit Edvil Koço. Po kështu pritet që sot të zhvillohet edhe masa e sigurisë për të riun Arben Basho, i cili u vetëdorëzua në polici pas akuzave se kishte fshehur armën e krimit. Të dy  të rinjtë janë vënë nën pranga për vrasjen e Edvil Koços, ndodhur pesë ditë më parë në Laprakë, në një dyqan pjesësh këmbimi. Sipas policisë, Pregapuca e qëlloi viktimën me një plumb në kokë, i cili humbi jetën pas një ore në Spitalin Ushtarak. Autori nuk u largua nga vendngjarja, ndërsa deklaroi në momentin e mbërritjes së policisë se e kishte vrarë bashkëmoshatarin e vet nga pakujdesia, duke luajtur me pistoletën që mbante pa leje. Por pas hetimeve ka rezultuar një rrjedhë krejt tjetër e ngjarjes. Sipas policisë, viktima dhe autori janë grindur mes tyre për lojën e tavllës. Pas kësaj, në gjaknxehtësi e sipër autori ka qëlluar me pistoletë në kokë viktimën. Ndërsa i plagosuri është përcjellë drejt Spitalit Ushtarak, Basho, i pranishëm në vendngjarje ishte larguar me armën e krimit. Pas vetëdorëzimit të tij tre ditë më parë, u sqarua se armën e krimit e kishte lënë në një bar-kafe pranë vendngjarjes, ku u gjet më pas prej policisë.                                                                  fa.ma. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›