E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “E bëmë me duar të pastra”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Ky është privatizimi i qeverisë me duar të pastra, i ndershëm, transparent, në një vlerë të trembëdhjetëfishtë, me një përpjekje të katër viteve më parë, por vërtet pajisjet dhe teknologjia ka një vlerë, por vlerën më të madhe e ka besimi”

Kryeministri Sali Berisha shprehet optimist për procesin e privatizimit të kompanisë së naftës ARMO. Oferta amerikane prej 125 milionë eurosh për blerjen e shoqërisë së hidrokarbureve, dhe plani për të investuar 240 milionë euro në teknologjinë e përpunimit të naftës në Shqipëri është mirëpritur nga kreu i ekzekutivit. Ndërsa vizitonte një ekspozitë promovuese për bukuritë natyrore të vendit dhe shumëllojshmëritë e florës dhe faunës, Kryeministri tregoi dy arsyet pse ishte i kënaqur nga procesi i privatizimit të ARMO-s dhe vlerësimit të lartë për blerjen e aksioneve të shoqërisë, duke risjellë në vëmendje edhe slloganin antikorrupsion thuajse të harruar të fushatës elektorale tre vite më parë. Sipas tij, ky ishte privatizimi i qeverisë “me duar të pastra”. Por për kryeministrin Sali Berisha kuotimi prej 125 milionë eurosh i ARMO-s, nuk ka vetëm domethënie financiare por edhe vlerësuese. Sipas tij, një vlerësim i tillë tregon se investitorët kanë shumë besim tek Qeveria dhe Kryeministri i saj. Berisha premtoi se me të njëjtën transparencë Qeveria do të punojë edhe për privatizime të tjera strategjike, ku dy më kryesoret që mbeten tani janë privatizimi i INSIG-ut dhe i degës së shpërndarjes së KESH-it.
Deklarata
“Ky është privatizimi i qeverisë me duar të pastra, i ndershëm, transparent, në një vlerë të trembëdhjetëfishtë, me një përpjekje të katër viteve më parë, por vërtet pajisjet dhe teknologjia ka një vlerë, por vlerën më të madhe e ka besimi”, - tha dje Berisha lidhur me privatizimin e ARMO-s. Ai pohoi se, në qoftë se ARMO arriti këtë kuotë, arriti për shkak të aksioneve të qeverisë, arriti për faktin se biznesi botëror i beson Kryeministrit shqiptar, i beson Qeverisë së tij. “Kjo është e vërteta dhe unë garantoj në të gjitha proceset e tjera, transparencë të plotë, njëlloj si në këtë rast. Më vjen mirë që një pasuri publike e qytetarëve shqiptarë mori një kuotim kaq të lartë. Pra është privatizimi i duarve të pastra”, - u shpreh Kryeministri. Tenderi për privatizimin e kompanisë “ARMO” është zhvilluar gjatë ditës së mërkurë në kushtet e një tensioni të lartë. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave është detyruar që të nxjerrë jashtë garës një nga kompanitë pjesëmarrëse, që nuk kishte mundur të plotësonte dokumentacionin deri në orën 14 të asaj dite. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i përbërë nga 11 anëtarë, kryesohej nga zëvendësministri i Ekonomisë, Nertian Alibali, dhe përbëhej nga 2 zëvendësministra të Financave dhe të Drejtësisë, si dhe 2 anëtarë të kompanisë konsulente të privatizimit të "ARMO-s, "Pattom Bogs. Interes për këtë privatizim kanë paraqitur 25 kompani, nga të cilat vetëm 4 prej tyre kanë mundur që të plotësojnë kushtet për të hyrë në këtë garë. Ofertat e bëra nga katër kompanitë për blerjen e 85% të aksioneve të ARMO-s, së bashku me programin e investimeve në këtë kompani, janë bërë publike gjatë dy ditëve më parë nga ana e komisionit. Konsorciumi amerikan "Rafineri Asociated Anica Texas", një nga 4 kompanitë pjesëmarrëse, ofroi për blerjen e 85% të aksioneve të ARMO-s, ofertën prej 125 milionë euro, si dhe 240,5 milionë euro për programin e investimeve në 4 vitet e ardhshme në ARMO. Kompania "Petrofac Energy Development Corp" ka ofruar për blerjen e 85% të aksioneve vlerën prej 30 milionë euro, ndërsa për programin e investimeve, vlerën 66 milionë euro. Grupi "Penta Investment Group" ofroi shumën prej 10 milionë euro për blerjen e 85% të aksioneve të ARMO-s, si dhe 198,4 milionë euro për programin e investimeve. Grupi "Vitol Us Balkan Funds Euroil" ofroi për të blerë 85% të aksioneve të ARMO-s, 100 milionë euro. Për shkak të mosardhjes në kohën e duhur, pra në orën 14.00, Komisioni i Vlerësimit, në respektim të plotë të procedurave të privatizimit, nuk pranoi futjen në garë të konsorciumit amerikan "Coyman Resorses".
Ky lajm është publikuar: 23/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›