E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerësim reformave dhe arritjeve të Shqipërisë

Autori i Lajmit: red.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua në selinë e Këshillit të Evropës në Strasburg, me Kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Luis Maria de Puig, i cili shprehu vlerësimin se Shqipëria ka bërë progres dhe reformat e ndërmarra janë të admirueshme. Zyra e shtypit e Kuvendit, bëri të ditur dje se gjatë këtij takimi, Kryetarja Topalli e njohu z. De Puig me reformat më të fundit të ndërmarra nga Kuvendi i Shqipërisë, duke u fokusuar në reformën fiskale. Nga ana e tij, kreu i Asamblesë Parlamentare të KE-së, De Puig, u shpreh i kënaqur për progresin e bërë nga Shqipëria. “Reformat kushtetuese nuk janë të lehta për t u bërë në të gjitha vendet, por reforma kushtetuese e Shqipërisë është e admirueshme”, - tha z. De Puig. Lidhur me situatën në rajon, Kryetarja Topalli tha se pavarësia e Kosovës sjell stabilitet dhe paqe në rajon. Ne urojmë që së shpejti Kosova t u bashkohet vendeve anëtare të KE-së. Kryetarja e Parlamentit ndodhet në Strasburg, për të marrë pjesë në Konferencën Politike të Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, ku do të jenë të pranishëm 47 kryetarët e Parlamenteve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Në këtë Konferencë, Topalli do të mbajë një referat ku do të trajtohet progresi, sfidat dhe angazhimi i gjithë faktorëve të politikës shqiptare në perspektivën evropiane të Shqipërisë.

Ky lajm është publikuar: 23/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›