E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: E vërteta e implikimit të djalit tim me Gërdecin

 

tirane

Nuk ka asnjë fakt që lidh Shkëlzen Berishën me Gërdecin përveç një faksi të falsifikuar. Kryeministri Berisha foli për herë të parë për implikimin e djalit të tij në shpërthimin e 15 marsit të vitit të kaluar në Gërdec në emisionin “Ora e Debatit” të gazetarit Alfred Peza në Ora News, duke rrëzuar të gjitha pretendimet e ngritura. Sipas Berishës, Shkëlzeni flet me ministrat sepse me disa prej tyre kanë qenë së bashku në grevat e urisë dhe demonstratat e opozitës.
Ka zëra që e konsiderojnë qëndrimin tuaj në lidhje me çështjen Gërdeci për shkak se është përmendur emri i djalit tuaj Shkëlzen Berisha dhe kunatit tuaj. Mund të na thoni, ju jeni një prind që si çdo prindi tjetër u dhemb kur e shikoni në media. Kush është e vërteta e Shkëlzen Berishës në lidhje me Gërdecin?
Në mënyrë absolute nuk më dhemb kur e bëjnë me qëllim politik. Në  qoftë se këta zotërinj, të cilët kanë mijëra faqe deponime, dikush thotë 18 mijë dhe dikush thotë 36 mijë dhe të nxirrnin qoftë dhe deponimin më minimal të implikimit, qoftë dhe më minimal të djalit tim dhe unë do të shpreh mirënjohjen më të thellë publike. Çfarë nxjerrin? Me pafytyrësinë e tyre totale nxjerrin një faks të falsifikuar, të cilin ministri e hodhi në gjyq. Beson se nëse do kishin deponime të tjera s’do i kishin nxjerrë? Nxjerr një faks me shkrim të falsifikuar, fatmirësisht dhe që do të provohet saktësisht.
Ka një dëshmi të sekretares...
Pikërisht është paditur sekretarja, sepse shkrimi është falsifikuar. E kujt është dora? Sekretarja ka thënë se është e ministrit, le ta provojë drejtësia. E kujt është dora që ka shkruar atë porosi? Ka bërë një gabim fatal që ka akuzuar ministrin. Asgjë më të thjeshtë se sa verifikimi i shkrimit nuk ka.
Ka dhe një dokument tjetër për Rahman Selmanllarin që konsiderohet si miku i djalit tuaj...
Nëse pyetet për djalin tim unë përgjigjem për djalin tim. Janë 36 mijë faqe, i bindur të jesh ti që nuk kanë lënë përpjekje pa bërë për të krijuar një dëshmi false dhe s’kanë marrë veç atij faksi. Së dyti ishte Trebicka. E di ti që i kanë ofruar 600 mijë euro Trebickës, e di ti që i kanë ofruar të jetë në krye të listës që të dëshmonte atë që s’ishte? Të sulmosh djalin se nuk ke ç’t’i bësh të atit, do vazhdoj.
Keni biseduar me djalin?
Problemi është shumë i thjeshtë. Delijorgji është atje ku është dhe e vërteta është se ai është atje nga kjo qeveri. Ta mësojë opinioni se është nga kjo qeveri. Pinari është atje ku është dhe ta mësojë që është nga kjo qeveri.
Mos është nga kjo prokurori?
Është nga kjo qeveri para së gjithash, sepse për asistentin e Pinarit, Pinari nuk arrestohej. Është qeveria që ka ndërhyrë me gjithë forcën e saj. Është pyetur 1000 herë, ta pyesin edhe 3000 herë dhe të nxjerrin qoftë edhe faktin më të vogël. Kemi dhënë 100 fakte për Edi Ramën me të. Ja ku është qyteza Rama- Delijorgji, në qendër të Tiranës. Delijorgji për ato që bëri ne e çuam në burg.
E keni diskutuar me djalin?
Unë diskutoj të vërtetën. E vërteta është kjo që them unë dhe që e dinë të gjithë shqiptarët, sepse përveç një faksi të falsifikuar që do faktohet shumë shpejt, nuk kanë nxjerrë dot asnjë gjë tjetër, sepse nuk ka fakte. Po të kishte fakte, do dilnin.
Ka dalë nga tabulatet se djali juaj ka biseduar 59 herë me ministrat, ka shkuar 3 ditë pas Gërdecit në Ministrinë e Mbrojtjes, ka shkuar në Ministrinë e Drejtësisë. Ju jeni kryeministër, djali juaj nuk ka poste politike, pse duhet të shkojë ai nëpër ministri?
Me ministrat bisedojnë me dhjetëra dhe qindra. Djali im pavarësisht se është sektor privat, ka qenë që student një militant, aktivist jashtëzakonisht i flaktë. Me këta ministra ka marrë pjesë në greva, demonstrata. U telefonon dhe unë mendoj se jo 59, por mund të jenë edhe 500 telefonata me ata. Unë nuk mund t’i them djalit mos i telefono këtij apo atij. Djali im i takon ministrat dhe të garantoj, një pjesë të tyre i njeh, një pjesë të tyre i ka moshatarë.
I takon vetëm nga ana shoqërore apo i takon se i ndikon apo u kërkon?
Le të dalë qoftë edhe ndikimi më i vogël. Cili është ndikimi? Le të dalë, është fat i madh janë 36 mijë faqe. Duan të krijojnë skupe se nuk ka asnjë alternativë tjetër. Ai të vazhdojë, sepse unë përkundrazi e ftoj të botojë çdo ditë, sa herë të dojë fotografinë e tij, nuk është i papashëm. Është fare e këndshme.
Kjo fushatë mos bëhet për vajzën, djalin dhe keni rënë viktimë e një lloj kulture politike të cilën edhe ju mund ta keni ushqyer me akuza të tilla për gratë e fëmijët e kundërshtarëve politikë?
Kur fëmijët e kundërshtarëve politikë kanë vrarë të tjerë, nuk kam heshtur, ka heshtur drejtësia, por jo unë. Kur fëmijët e kundërshtarëve të mi politikë janë kapur me drogë, kam qenë i detyruar të bëj avokatin publik, sepse prokuroria ka heshtur. Pyete pse nuk është asnjë në burg. Janë 400 dosje për qëllime politike mbi të cilat fle Prokuroria. Kjo është e vërtetë, e njohur. Nuk janë sulmuar kurrë fëmijët e askërkujt nëse ata nuk kanë pasur implikime. Fakti që këta më sulmojnë fëmijët pa asnjë bazë, merren me honoraret e një studioje private, të cilat janë as në maksimumin as në minimumin e tyre, dëshmojnë se janë me zero alternativë. Mua këta kështu më ndihmojnë. Këtu Edi Rama nuk ka alternativë tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›