Xhaferri: Ndjekje penale për Ramën dhe anulim të lejeve të 17 prillit
Maxhoranca miraton raportin e komisionit hetimor “Rama II”, duke kërkuar pezullimin e lejeve të ndërtimit të dhëna më datë 17 prill nga Këshilli i Rregullimit të Territorit i Bashkisë së Tiranës. Me 74 vota pro maxhoranca ka votuar dërgimin për ndjekje penale në Prokurori të të gjithë atyre që kanë abuzuar me lejet e ndërtimit në mbledhjen e datës 17 prill, që nga kryebashkiaku Edi Rama dhe anëtarët e KRT-së. Në votimin e raportit përfundimtar të paraqitur në seancë nga kryekomisioneri Ferdinand Xhaferri, kanë abstenuar deputetët Spartak Ngjela dhe Durim Lamaj. “Komisioni i propozon Kuvendit të Shqipërisë që të dërgojë në Prokurorinë e Përgjithshme raportin përfundimtar, duke filluar kështu çështjen penale për personat që eventualisht kanë abuzuar me detyrën”, tha kryekomisioneri Xhaferri. Gjithashtu, raporti përfundimtar kërkon pavlefshmërinë e vendimeve të KRT-së të Bashkisë Tiranë të miratuara më 17 prill 2009, si dhe ngarkon Inspektoratin e Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, që në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit të ndërmarrin masat ligjore, në mbështetje të ligjit “Për konfliktin e interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Në raport theksohet se vendimet marra në datën 17 prill nga KRT-ja janë nul, pasi nuk kanë vlerë juridike, për shkak se nuk kanë votuar pesë anëtarët e saj.