Sabatini: Ujkani na bindi, do të qëndrojë te Palermo
LEONARD KARAJ
Samir Ujkani ka bindur të gjithë te Palermo. Kanë mjaftuar 27 minuta në aktivizim në Seria A në përballjen me Milanin në "San Siro" dhe 70 minuta në sfidën e "Qemal Stafa"-s, po përballë kësaj skuadre, që drejtuesit e Palermos të zgjedhin Ujkanin si portierin e dytë të skuadrës nga sezoni i ri dhe në vazhdim. Lajmin e ka bërë të ditur vetë administratori i klubit të Palermos, Sabatini në një intervistë dhënë mediave italiane. "Nuk do të kërkojnë portier tjetër gjatë merkatos së verës. Kjo edhe se Ujkani na ka bindur me performancën e tij në dy ndeshje kundër Milanit. Ai do të jetë zëvendësuesi i Amelias, jo vetëm për sezonin e ri, por konsideruar moshën e tij besoj se edhe më gjatë", ka pohuar Sabatini.
Debutimi
Samir Ujkani debutoi në kampionatin italian të futbollit dy javë më parë në përballjen Milan-Palermo. Ai u fut në lojë në minutën e 63-të të takimit kur rezultati i ndeshjes ishte fiksuar në shifrat 3-0. Që në atë përballje, gardiani kuqezi tregoi një personalitet, duke shpëtuar portën e tij nga goli i katërt në dy raste të pastra ndaj Ronaldinjos dhe Kakasë. Pikërisht ky takim më së shumti ka vendosur edhe të ardhmen e futbollistit, të cilën Sabatini i konfirmon me fanellën e Palermos. "Kemi pasur besim tek ai dhe këtë gjë e tregoi më së miri si në ndeshjen me Milanin në Seria A, por edhe me Kombëtaren shqiptare, sërish ndaj kësaj skuadre", ka pohuar administratori i Palermos.
Kombëtarja
Samir Ujkani nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare me fanellën e Kombëtares shqiptare të futbollit. Ai është grumbulluar disa herë nga ish-trajneri Ari Haan gjatë kualifikimeve për Botërorin 2010, por pa mundur që të luajë për asnjë sekondë. Debutimi me fenellën kuqezi, nëse mund të quhet i tillë erdhi pikërisht në përballjen Shqipëri -Milan për trofeun "Taçi Oil 2". Me Shpresat e Shqipërisë Ujkani ka zhvilluar tre ndeshje.