E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Edhe pse blejmë energji, jemi pa drita

Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi dje një dimër të vështirë, pa drita. Burime brenda mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të PD-së, konfirmuan shqetësimin e z. Berisha se edhe ky vit do të ketë probleme me furnizimin e energjisë elektrike. Sipas tij, moti i thatë nuk po favorizon ngritjen e nivelit të ujit nëpër hidrocentralet e mbarë vendit. Por kreu i qeverisë para deputetëve demokratë bëri evident faktin se as blerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike nuk po zgjidhin çështjen e sigurimit të energjisë elektrike. Në një situatë të tillë, ku duket se dimrin e ftohtë të këtij viti do ta shoqërojnë edhe orët e errësirës, Kryeministri Berisha pa praninë e mediave njoftoi deputetët e vet: “Vendi është pa drita, ndonëse blejmë në mënyrë të vazhdueshme energji elektrike nga jashtë. Për të shmangur errësirën e këtij viti, duhet të gjejmë rrugët e zgjidhjes, pavarësisht se as moti i thatë nuk po favorizon mbushjen e kaskadave me ujë”.

Thirrje opozitës

Po në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Sali Berisha foli edhe për reformën në drejtësi, për të cilën i bëri thirrje opozitës që t’i qëndrojë paketës së miratuar në Parlament. Nisur nga fakti që ditët e fundit kryesocialisti Edi Rama mbylli derën e bashkëpunimit me mazhorancën për çështjen e reformës në drejtësi, Kryeministri Berisha i kujton atij se PD e PS kanë votuar një pakt në Parlament për të ofruar konsensus. Sipas Berishës, realizimi i kësaj reforme i shërben vetëm të ardhmes së vendit. “Reformat do të vazhdojnë në sistemin e drejtësisë. Parlamenti ka votuar një pakt për drejtësinë dhe i qëndrojmë dhe ne do vazhdojmë reformat. Ftoj opozitën me interesin më të mirë të vendit dhe të gjitha forcave politike pa përjashtim t’i përmbahen paktit të votuar në Parlament. Unë e garantoj që ne shkojmë me këto ligje të vendosur për konsensusin më të gjerë të mundshëm”, - tha z. Berisha. Por një tjetër objektiv në përmbushjen e reformave, sipas Kryeministrit, është edhe infrastruktura e nevojshme për zbatimin e Kodit të ri Zgjedhor. Ai vlerësoi faktin që Kodi Zgjedhor u miratua rreth 8 muaj para zgjedhjeve. “Kjo, shtoi ai, - do të bëjë që të punohet për t’i dhënë vendit infrastrukturën më moderne për zgjedhje, në drejtim të kartave dhe dokumentacioneve, listave të zgjedhësve dhe të zbatimit të kodit”. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së Berisha ftoi deputetët demokratë që të vazhdojnë përpara me reformat e thella për të cilat vendi ka nevojë shumë të madhe. "Këta muaj kërkojnë që ne të jemi më të vendosur, më aktivë dhe më të shpejtë, në mënyrë që zgjedhjet të mos ngadalësojnë zbatimin e projektit kryesor të shqiptarëve, që është integrimi në NATO dhe BE", - u shpreh Kryeministri. Duke u ndalur te reformat ekonomike të cilat i vlerësoi si të një rëndësie jetike për vendin, Kryeministri u shpreh se qeveria po procedon me një seri ligjesh dhe vendimesh që synojnë lehtësimin e të gjitha procedurave për klimën e biznesit dhe investimet. "Së shpejti do të sjellim në Parlament amendime të rëndësishme për lejet e ndërtimit që janë një gangrenë e vërtetë për këtë vend. Do të sjellim në Parlament ligje dhe vendime të tjera, të cilat zhdërvjelltësojnë në maksimum të gjitha shtyllat e klimës së biznesit", - u shpreh Kryeministri Berisha. Sipas tij, "kjo është dy herë më e domosdoshme po të kemi parasysh recensionin e njoftuar nga disa prej ekonomive më të mëdha të botës dhe Evropës".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›