E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, Berisha i shkruan Presidentit Xhorxh Bush

Kryeministri Berisha i shpreh Presidentit Bush mirënjohjen më të thellë për dy mesazhet e rëndësishme që ai i dërgoi Senatit Më datë 21 nëntor 2008, me anë të të cilave, Presidenti Bush certifikon se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO do të sjellë veçse efekte pozitive për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sigurinë e saj. Në këto mesazhe, Presidenti Bush i konfirmon Senatit se hyrja e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO nuk do të ndikojë aspak në aftësitë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përmbushur kërkesat në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë jashtë zonës euroatlantike si dhe inkurajon vendet aleate të mbyllin sa më shpejt procedurat e ratifikimit të Protokolleve të Anëtarësimit të Kroacisë dhe Shqipërisë në NATO. Qeveria shqiptare i vlerëson këto mesazhe të Presidentit Bush si një shprehje tjetër e marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe e miqësisë dhe solidaritetit të ngushtë që ekziston midis kombit shqiptar dhe kombit të madh mik amerikan.

Kontributi për Kosovën, Topi dekoron Grahamin

Presidenti Bamir Topi dekoroi dje ish-ambasadorin Uilliam Graham Uoker me “Medaljen e Mirënjohjes”, për kontributin e rëndësishëm në ndihmë të shqiptarëve të Kosovës, në momentet e vështira dhe vendimtare të historisë së tyre, gjatë krizës humanitare të vitit 1999. Kryetari i shtetit shprehu mirënjohjen për ndihmën e pakursyer dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë amerikane dhënë Shqipërisë. Kurse z. Uoker pohoi: “Kam qenë më i njohur në çështjen kosovare, por unë e di shumë mirë se çfarë kuptimi kanë pasur ngjarjet e ‘99-ës për shqiptarët kudo që ata kanë qenë. Meqë këtu është qendra, është zemra e kombit shqiptar, jam me të vërtetë i nderuar duke u nderuar në këtë mënyrë”. “Jam i lumtur që jam këtu, - shtoi ish-ambasadori amerikan, - jam i lumtur që bëj pjesë në këtë komb shqiptar dhe që kam pasur rastin të shijoj shpeshherë mikpritjen e shqiptarëve, e cila është përmbytëse, prandaj edhe ky nder më ka mallëngjyer dhe më ka përmbytur në ndjenja, kështu që ju falënderoj shumë z. President”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›