Berisha: Edi Rama, falje Tropojës
BLEDAR HOTI
Edi Rama duhet t’i kërkonte falje Tro-pojës për të vrarët në këtë qytet nga bandat me uniforma policie kur ai ka qenë ministër i PS-së. Ky ka qenë reagimi i Kryeministrit Sali Berisha një ditë pas vizitës së kreut të Partisë Socialiste në vendlindjen e kreut të qeverisë të shtunën në mesditë. 17 vjet pas fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 22 marsit 1992, të cilat shënuan përfundimisht edhe rënien e regjimit komunist në Shqipëri, kreu i qeverisë doli në një konferencë për mediat për të bërë një ekspoze të së gjitha zhvillimeve nga zgjedhjet e atij viti deri në hyrjen e Shqipërisë në NATO pas 12 ditësh. Në të njëjtën kohë ai garantoi opozitën për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si dhe apeloi për pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit.
Vizita e Ramës
I pyetur nga mediat për vizitën e kreut të Partisë Socialiste në qytetin e tij të lindjes, Kryeministri Berisha tha se e kishte ndjekur me interes atë vizitë, por shtoi se priste që Rama të kërkonte falje ndaj qytetarëve të Tropojës. “Prisja që ai t’i kërkonte të falur Tropojës, prisja që ai të shkonte në Tropojë pasi të kishte marrë disa njohuri për atë rreth dhe po të kishte pasur vullnetin më minimal do të gjente një gjë, se nga fillimi i fillimit të shekullit të shkuar deri në 1997 përfshi dhe Luftën e Dytë Botërore, ku ata kanë marrë pjesë shumë aktive, numri i të rënëve është as një e katërta e atyre që u vranë kur Rama ka qenë ministër. Janë vrarë nga uniformat e njerëzve të Ramës. Rama duhet t’u kërkonte të falur atyre nënave, atyre familjeve për varret që hapën bandat me uniforma policie. E ndoqa me shumë interes, prita të kërkonte të falur, por nuk e bëri”, theksoi kreu i qeverisë. Por i pyetur se kur do ta vizitojë vetë Tropojën kreu i ekzekutivit tha se: “Unë jam atje çdo ditë, çdo javë, çdo muaj po rindërtohet ai Rreth tërësisht. Ai ka qenë një Rreth, i cili përveç varreve të hapura nga regjimi, që shkoi ka përjetuar edhe bombardime shumë të egra gjatë luftës së Kosovës dhe ishte lënë në fatin e tij. Ai rreth është në rindërtim të plotë”.
Koalicioni i majtë
Kryeministri nuk ka shmangur dot as debatin e fundit brenda së majtës për sa i përket koalicioneve paszgjedhore mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Ato dy forca janë gjysmat simetrike të mollës së kalbur. Që të dyja të bindura në humbjen e tyre të sigurt, lëshuan thirrje të nëndheshme dhe të mbidheshme për koalicione, por kur të shohin veshin e tyre pa pasqyrë atëherë mund të bëjnë koalicion me forcën fitimtare të këtyre zgjedhjeve që është PD. Do të rrinë edhe ca vite në opozitë. Koalicioni i tyre është koalicion në humbje, le të bashkohen, ç’punë kam unë me ata. Ata duan që përgjegjësinë e humbjes ta shpërndajnë njëri me tjetrin”, theksoi më tej Berisha. Duke u ndaluar në fitoren e forcave të djathta në zgjedhjet e 22 marsit 1992, kreu i qeverisë tha se ajo ishte një fitore historike për faktin se nuk u lejua që Shqipëria të mbetej nën diktaturë si Serbia. “Nuk lejuam që Ramiz Alia të zëvendësonte pluralizmin politik që themeluam në vitin ’90 me pluralizmin burokratik. Ramiz Alia dhe Sllobodan Millosheviçi ripërtërinë qindra dhe mijëra lidhje për të sunduar në të dy vendet, por ky skenar u përmbys njëherë e përgjithmonë më 22 mars të vitit 1992 me votën plebishitare të qytetarëve shqiptarë”, përfundoi Berisha.
Rama në Tropojë: Zgjedhjet, udhëkryq mes të shkuarës e të ardhmes
Edi Rama në Tropojë kërkoi një bashkimin e ri të qytetarëve. Sipas tij, zgjedhjet e 28 qershorit janë një udhëkryq mes të shkuarës dhe të ardhmes. “Këto zgjedhje janë një udhëkryq mes së shkuarës dhe së ardhmes. Janë mundësia ideale për t’i dhënë jetë një bashkimi njerëzish, që kanë vendosur të jetojnë në këtë vend, apo që nuk kanë mundësi tjetër përveçse të jetojnë në këtë vend dhe që nuk duan të mbeten deri në fund të jetës së tyre peng i lojës së interesave të të njëjtëve personazheve dhe oborre familjare e klanore, sa djathtas e sa majtas”, tha Rama. Në vizitën e dytë të tij në vendlindjen e Kryeministrit Berisha, kryetari socialist ka shmangur çdo akuzë personale ndaj rivalit të tij politik, ndërsa është shprehur se “kjo zonë i ka vënë në dispozicion lëvizjes kundër diktaturës komuniste dhe pro Shqipërisë si gjithë Evropa, thuajse të gjithë djemtë dhe vajzat e veta. Sot, kjo zonë vazhdon të mbetet e harruar, vazhdon të mbetet jashtë rrugëve të zhvillimit, vazhdon të mbetet jashtë rrugëve të mirëqenies dhe punësimit”.
“Unë e Rama të aplikojmë në një orë”
Pak ditë pas thirrjes publike të kryetares së delegacionit të PE për Evropën Juglindore, Doris Pack se Kryeministri Berisha dhe kreu i PS-së Rama duhet t’u bëjnë apel qytetarëve për pajisjen me karta identitetit, vjen propozimi i parë nga maxhoranca. Në konferencën e djeshme për shtyp kreu i ekzekutivit propozoi që të dalë në një orë me kreun e PS-së për të aplikuar në njësitë e tyre vendore dhe t’u bëjnë thirrje qytetarëve për të marrë dokumentin e ri. “E ftoj kryetarin e Partisë Socialiste të bashkërendojmë kohën në të cilën të marrim këto letërnjoftime, meqenëse nuk jemi në gjendje civile të njëjtë, se ai është edhe në Pezë. Po, po, atje është ai. Por ai nga gjendja civile e Pezës dhe unë nga e lagjes sime, në të njëjtën orë të lëshojmë të njëjtin apel ndaj shqiptarëve për t’u pajisur me këto karta. Kjo qeveri ka faktuar se nuk ka ndërhyrë dhe nuk do ndërhyjë për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, theksoi Kryeministri Berisha. Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, që të pajisjen me dokumentet e reja të identitetit, duke hedhur sërish poshtë propozimin e PS-së për dhënien e kartave falas deri në zgjedhje.