E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie në pranga i kërkuari për 7 grabitje me armë në Tiranë

 

TIRANE - Një 28-vjeçar ka përfunduar në prangat e oficerëve të Vjedhjeve ndaj Biznesit, pasi është provuar autorësia e tij në 7 grabitje të ndodhura muajt e fundit në kryeqytet. Policia tha se Arben Muka ishte shpallur në kërkim që prej datës 17 shkurt të këtij viti, pasi akuzohej për vjedhje. Burime nga policia bënë të ditur se Muka dyshohet se është autor i vjedhjes së parukierisë "Magic Hair", në rrugën "Qemal Stafa", në Tiranë, grabitje që është kryer më 4 janar të këtij viti. Gjithashtu policia ka arritur të sigurojë prova, të cilat e fajësojnë 28-vjeçarin edhe për grabitjen e zyrave të Njësisë Elektrike Nr.2 në rrugën "Arktitekt Sinani" në kryeqytet, që ka ndodhur më 13 mars, si dhe për farmacinë "Gledis" tek Xhamlliku, që ka ndodhur një ditë më pas. Të njëjtat burime sqaruan se 28-vjeçari akuzohet edhe për grabitjen e shumës prej 30 mijë lekësh, 117 numrave AMC dhe 31 kartave rimbushëse në një dyqan të kompanisë Celulare AMC në rrugën e Dibrës, më 16 mars. Ndërkohë përveç vjedhjeve që ka kryer ndaj bizneseve, Muka dyshohet se është autor i vjedhjes së 3 banesave të ndryshme në Tiranë. Sipas burimeve nga policia, ai dyshohet se më 21 shkurt ka vjedhur një banesë në rrugën "Riza Cerova", ku ka arritur të marrë 20 mijë lekë të reja, më 1 shkurt ka vjedhur një banesë në rrugën "4 Dëshmorët" dhe një ditë më pas ka realizuar grabitjen e një shtëpie në rrugën "Besa". Policia ka arritur të sekuestrojë edhe "mjetet e punës" me të cilat ai realizonte grabitjet, një palë pinca, një biçak dhe një pirun. I arrestuari Arben Muka ka pasur edhe më parë precedentë penalë për vjedhje. Madje ai sapo kishte kryer dënimin për vjedhjen e një motori tip "Vespa", vjedhje që e kishte kryer në bashkëpunim me Shpëtim Lushën, në vitin 2003.                                          e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›