Neranxi: Imuniteti, sulm politik i Bodes
Deputeti i LSI-së Nikollaq Neranxi e cilëson kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit një sulm politik ndaj tij. Ai akuzon ministrin e Financave Ridvan Bode se ka vënë të gjitha strukturat për t’i bërë presione përmes biznesit të familjes së tij.
Prokuroria ka kërkuar për ju heqjen e imunitetit si deputet, për t’i hapur rrugë hetimit. Çfarë ka konkretisht në dosjen tuaj hetimore të përgatitur nga Prokuroria?
Gjithçka ka filluar me hetimin e një aktiviteti tregtar mes një furnitori grek në Selanik dhe një klienti shqiptar në Tiranë gjatë viteve 2001-2004, ku ky i fundit bënte transport nga Selaniku deri në doganën greke të Kapshticës me makinat e Kompanisë “Neranxi”.
Kush ishte pronar i kompanisë “Neranxi” në atë kohë?
Ishte babai im, i ndjeri Mihal Neranxi, ndërkohë që unë nuk kam punuar asnjë ditë në atë kompani pasi në ato vite jetoja në Selanik dhe kisha një biznes timin.
Atëherë pse doli emri juaj në këtë histori?
Në vitin 2006, kur unë u largova nga koalicioni i maxhorancës, me një egërsi të paparë, doganat dhe tatimet u vërsulën drejt kompanisë time familjare N.N. Sh.p.k, e krijuar në fund të vitit 2005. Për rreth dhjetë ditë bllokuan gjithë aktivitetin dhe nuk na linin as të zhdoganonim dhe as të shisnim mallra. Më pas vazhduan me gjoba në shuma marramendëse, që shkonin në shifra deri në 400 mijë euro. Nuk e lanë me kaq, por kërkuan të gjejnë ndonjë shkelje për të më kryqëzuar dhe shpikën historinë e shmangies së detyrimeve doganore prej 13,5 milionë lekësh të reja, që në fakt ka të bëjë me kompaninë e babait tim. Gjithsesi edhe ky është një fakt i pavërtetë. Ato mallra u transportuan deri në doganën greke të Kapshticës dhe më pas nuk figuruan tek ajo shqiptare, gjë që dëshmon vetëm për shmangie doganore të zotit të mallit dhe jo të transportuesit. Në fakt për të njollosur kompaninë e të ndjerit babait tim dhe mua personalisht, institucionet e drejtuara nga Ridvan Bode janë kujdesur të sajojnë disa dokumente false, të cilat figurojnë të firmosura nga unë. Mjafton të bëhet vetëm një verifikim i firmës time për të parë se ajo është e falsifikuar, por edhe verifikimin e pasaportës time, për të kuptuar se në ato data që figurojnë në dokumente, unë kam qenë jashtë shtetit dhe nuk e kam shkelur kufirin shqiptar.
Ju jeni thirrur nga Prokuroria për të dëshmuar për këtë çështje, apo kërkesa e saj ka mbërritur në Kuvend pa pasuar ju asnjë dijeni për të?
Ky është edhe shqetësimi im më i madh. Që në start, kur filluan hetimet e urdhëruara pranë Drejtorisë Hetimore të Doganave, askush nuk më thirri për të dhënë sqarime, të njëjtën gjë bëri edhe Prokuroria e Tiranës, ndërkohë që Prokuroria e Përgjithshme, pa më bërë asnjëherë ftesë për t’u paraqitur atje, çoi në Kuvend dosjen dhe kërkesën për heqjen e imunitetit tim. Ju e dini se imuniteti hiqet vetëm nëse personi nuk pranon të paraqitet pranë institucioneve përkatëse. Madje unë, pasi kisha dëgjuar që po lakohej emri im në një dosje hetimore, më 10 mars i kërkova me anë të një shkrese zyrtare Kryeprokurores Rama, që të shkoja e të jepja sqarime. Ajo, po me shkresë zyrtare, më la ditën e takimit më 26 mars dhe po më 10 mars kërkoi në Kuvend imunitetin tim. Një veprim që në fakt mu duk absurd.
Në këtë histori, ju akuzoni ministrin Bode për këtë dosje. Përse kjo akuzë ndaj Ministrit të Financave?
Kur filloi lufta ndaj kompanisë së familjes time, drejtori i kompanisë, kërkoi sqarime te Drejtori i Doganës së Tiranës, për të mësuar pse pengohej aktiviteti i saj, ndërkohë që drejtori i kësaj dogane i thotë: “Nuk kemi çfarë të bëjmë, kemi urdhër nga lart”. Më pas dërgova deputetin e zonës time, zotin Spiro Peçi, që të kërkonte shpjegime te ministri Bode, ndërkohë që ky i fundit i thotë: “Mos u merr me Neranxin se do ta fusim në burg”. Ku e gjen kurajon ky ministër që urdhëron strukturat e varësisë së tij të hapin dosje për një person, qoftë ky edhe me imunitet, dhe jo për shkak të krimit të supozuar? Ministri Bode, i lejon vetes luksin që të bëhet edhe prokuror, ku në dhjetor të vitit 2008, pasi kundërshtova me forcë një projektligj në parlament, ai ngrihet dhe thotë se deputeti e kundërshton sepse ka konflikt interesi dhe për shkelje ka një dosje në Prokurori. Lind pyetja, këtë zotëri për çfarë e kanë vënë në krye të atij institucioni, që të na tregojë dosjet apo të lehtësojë aktivitetin e sipërmarrjeve private me anë të politikave të duhura fiskale? Kompania e familjes time nuk ka bërë dhe as nuk ka ndërmend të bëjë asnjë veprim në kundërshtim me ligjin. Çdo muaj kjo kompani i paguan arkës së shtetit 150 milionë lekë, ndërkohë që shtetarë si Bode i tregojnë burgun.
Ju flisni për një luftë të ministrit Bode ndaj biznesit të familjes tuaj. Përse sipas jush bëhet një sulm i tillë?
Kjo është një luftë vetëm ndaj deputetit Neranxi, ndaj aksionit të tij politik gjatë këtyre katër viteve në Parlament. Unë kam një ndryshim shumë të madh nga Bode dhe të tjerë që i ngjanë atij, pasi nuk u futa në politikë për t’u bërë i pasur si ata, por isha i pasur para se të hyja në politikë. Kur bëhet fjalë për të miratuar ligje antikushtetuese, unë nuk mund të jem në krah të Bodes me shokë. Edhe këtë radhë ata kanë firmosur turpin e tyre.