E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bozdo: Ja pse nuk jemi të prekur nga kriza financiare

 

Fabiola Çela

Ekonomia shqiptare ka mundur t’i rezistojë furtunës së shkaktuar nga kriza financiare ndërkombëtare. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”, zv/ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo ka sqaruar në detaje efektet që ka dhënë kriza globale në ekonominë vendase. Sipas tij, sektori i eksportit po e ndjen në minimum këtë krizë. Një sektor tjetër në risk, sipas hipotezave të ministrisë, ishte edhe ai i turizmit, por sipas Bozdos edhe në këtë sektor ndikimi do të jetë minimal, apo thjesht të mos ndihet fare.
Bota është përfshirë nga kriza ekonomike. Sa është ndikuar Shqipëria nga kjo krizë dhe kush janë sektorët që do ta vuajnë më shumë?
Kriza ekonomike, e cila tashmë ka prekur jo vetëm vendin i cili gjeneroi krizën financiare (ShBA), por edhe vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë se kaq, është afruar gjeografikisht afër Shqipërisë. Vendet e rajonit ballkanik  ku Shqipëria bën pjesë, do të ndikohen nga kjo krizë. Diferenca qëndron në faktin në se ky ndikim do të jetë i shumë i ndjeshëm, i ndjeshëm apo pak i ndjeshëm. Vendet e rajonit tonë hyjnë në të tria kategoritë e mësipërme. Kjo sepse kushtet specifike makroekonomike ku ato ndodhen, niveli i ndryshëm i reformave strukturore të kryera, si dhe ekspozimi i tyre ndaj krizës, i bëjnë këto vende që të kenë “ndjeshmëri” të ndryshme.
Thënë me pak fjalë, pikërisht për shkak të një situate makroekonomike solide, reformave ekonomike dhe fiskale të ndërmarra nga qeveria shqiptare në tre vitet e fundit, si dhe të një sistemi bankar po kaq solid dhe me likuiditete të bollshme, të gjitha sollën që ndikimi i krizës ekonomike botërore në Shqipëri të jetë minimal. Statistikat për dymujorin e parë të vitit 2009, periudhë e cila ka qenë mjaft e vështirë për të gjitha vendet e përmendura më sipër, tregojnë se ekonomia shqiptare po performon në mënyrë optimiste. Niveli i eksporteve tona është po ai i dy muajve të parë të vitit 2008, një tregues ky mjaft i mirë, në një kohë kur vende të orientuara ndaj eksportit si p.sh. Kina, Japonia etj po flasin për rënie drastike të eksporteve që lëviz në shifrat 20%-40%, sipas industrive prodhuese. Ndërkaq, realizimi i të ardhurave buxhetore është më i lartë se ai i muajve të parë të vitit 2008, dhe plotësisht sipas planifikimit buxhetor. Të mos harrojmë se ky planifikim është përllogaritur për një rritje ekonomike më të madhe se 5.5% të PBB-së për vitin 2009. Shifra optimiste vijnë edhe nga industria e fasonistëve, e cila kontribuon ndjeshëm në normën e punësimit; ajo ngelet në të njëjtin nivel të vitit 2008. E parë në kontekstin evropian, ku kjo industri së bashku me industrinë mekanike e prodhuese njeh një rënie, që sipas vendeve varion nga -10% në -28% (si është rasti i Ukrainës por edhe i Rumanisë e Bullgarisë), mund të themi që ndikimi i krizës botërore është i minimizuar në Shqipëri. Në fund të vitit 2008, ne filluam të bëjmë parashikimet e para mbi sektorët që do të “vuanin” më shumë ndikimin e krizës botërore. Një ndër to ishte ai i eksportit, i cili praktikisht po e ndjen në minimum këtë krizë. Një sektor tjetër në risk, sipas hipotezave tona, është edhe ai i turizmin, por ndërkaq duke njohur tipologjinë e turizmit tonë ka shumë gjasa që edhe këtu ndikimi të jetë minimal, apo thjesht të mos ndihet fare. Një ndër komponentët i cili lakohet më shumë është ai i të ardhurave nga emigrantët. Kjo është një çështje e cila së pari ka vuajtur prej vitesh pasjen e statistikave të besueshme, dhe më e rëndësishmja është fakti që ne të gjithë presim që një ditë të ardhurat nga remitancat të minimizohen. E prisnim këtë ditë vite më parë, dhe ende nuk ka ndodhur. Personalisht mendoj që ka ardhur koha që Shqipëria të shkëputet nga varësia e remitancave, dhe sa më parë ta bëjë këtë gjë, aq më mirë do të jetë. Ka një shembull shumë interesant që është ai i qeverisë së Malajzisë, ekonomia e së cilës ka një ndjeshmëri të ulet ndaj krizës ekonomike botërore. Ajo ka deklaruar se e sheh këtë krizë si një mundësi të “artë” për të ndryshuar strukturën e ekonomisë dhe eksporteve të saj, dhe për ta orientuar mbi të gjitha ndaj shërbimeve. Në këtë kontekst, krizën botërore e shoh më shumë si oportunitet sesa si sfidë. Ne kemi bërë tashmë një hap cilësor në mënyrën se si e shohim dhe e programojnë ekonominë e vendit. Reformat strukturore të ndërmarra, kontratat e mëdha të lidhura për investime masive në energji, sektorin minerar, infrastrukturë, shërbime etj, do të fillojnë të japin efektet e tyre shumë shpejt, dhe këto efekte janë më shumë se ato të remitancave të munguara. Në fund të vitit të kaluar, pak nga ne mendonim që Shqipëria do të ishte “ndjeshmërisht ulët” ndaj krizës ekonomike botërore. Sot, të gjithë jemi të lumtur që parashikimet tona nuk janë vërtetuar, të paktën deri më tani!
A ka qeveria, ose Ministria e Ekonomisë, ndonjë plan masash për të ndihmuar bizneset?
Shikoni, nuk duhet të mistifikojmë togfjalëshin “plan masash”. E them këtë sepse opozita ka deklaruar shpesh që Shqipërisë i nevojitet një “paketë masash”. Duhet të kuptojmë që ky togfjalësh e ka origjinën në debatin e sotëm botëror të vendeve të cilat u preken së pari nga kriza financiare dhe më pas nga kriza ekonomike. Shqipëria për fat të mirë nuk është e prekur as nga njëra e as nga tjetra. Sot debati, sidomos në vendet e eurozonës, është përqendruar mbi implementimin e legjislacionit fiskal lehtësues, si dhe masave të tjera të lehtësimit të kreditimit dhe të tregtisë, të tilla që mund t’i japin oksigjen ekonomisë evropiane. Për një meritë të qeverisë shqiptare, e cila për arsye krejt të ndryshme filloi një program reformash fiskale e ekonomike tre vite më parë, Shqipëria sot është në pozicionin komod të nënshkrimit të kontratave miliardere investuese në sektorë të ndryshëm të saj. E përsëris faktin që në tre vjet më parë nuk mund të njihnim mënyrën se si ngjarjet do të zhvilloheshin, por kishim një vizion të qartë reformues. Ky vizion sot është realitet dhe çështjet për të cilat qeveritë e vendeve evropiane debatojnë sot, si p.sh reduktimi i barrës fiskale, apo përmirësimi i klimës së biznesit dhe kreditimi i tij, janë çështje që qeveria shqiptare u ka dhënë zgjidhje tre vite më parë. Kjo është arsyeja që ndikimi i krizës në Shqipëri është i limituar në maksimum. Por, meqenëse ju pyesni edhe për masa të tjera, më lejoni t’ju përmend disa: kreditimi i interesave për ndërtimin dhe blerjen e 6000 apartamenteve; kreditimi me kredi të butë i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme me anë të një programi të qeverisë Shqiptare prej 25 milionë eurosh; kreditimi i eksportuesve për mbulimin e kolateralit si dhe dhënia e parave grant për rritjen e konkurueshmërisë së tyre;  rimbursimi i menjëhershëm i TVSH-së së eksportuesve, ulja e ndjeshme e kontributit shoqëror dhe shëndetësor për punëdhënësit dhe punëmarrësit, përmirësimi i ndjeshëm i klimës së biznesit si dhe thithja me eficencë gjithnjë e më të madhe të Investimeve të Huaja Direkte, janë disa nga masat më të spikatura që kemi ndërmarrë së fundmi.
Banka e Shqipërisë raporton për një ulje të kreditimit, që sjell si rrjedhojë uljen e investimeve dhe uljen e mundësisë për më shumë prodhim. Nga ana tjetër biznesi, në mbledhjen e fundit të Dhomave të Tregtisë ka kërkuar Amnisti Fiskale, më të thellë se ajo e miratuar nga qeveria. A mendoni se dalja nga “hija” e aseteve të tjera të “fshehta” mund t’i japë një zhvillim ekonomisë në këto momente mungese likuiditeti?
Nuk besoj se të dyja çështjet kanë lidhje me njëra-tjetrën. Rënia e ritmeve të rritjes së kreditimit (pra duhet të kemi kujdes me shprehjen, sepse nuk kemi rënie të kreditimit, por rënie të ritmeve të rritjes së kreditimit) për mendimin tim, në rastin e Shqipërisë është e lidhur më shumë me psikologjinë e mungesës së besimit, sesa me ekonominë reale në vetvete. Kjo është arsyeja që ne nuk duhet të induktojmë tek aktorët e tregut, psikologjinë e krizës. Këtë gjë për fat të keq po mundohet ta bëjë opozita, por ne e kemi kundërshtuar me vendosmëri. Në fund të fundit këtu dëmtohet ekonomia e vendit, e cila nuk ka ngjyrë partiake. Për të mos folur më pas për një lojë jo të ndershme politike, e cila synon të rrënjosë krizën e besimit tek aktorët e tregut, për hir të një kapitali politik. Opozita po e ndjek këtë skenar, por është një skenar i cili nuk të çon larg, përkundrazi të redukton politikisht. Qytetarët e kanë kuptuar tashmë këtë çështje. Le të hidhemi tek ideja e “amnistisë fiskale”, edhe ky është një togfjalësh disaherë i keqpërdorur dhe shumëherë i keqkuptuar! Nuk mund të ketë amnisti fiskale për para që vijnë nga burime të dyshimta, për financime që hyjnë dhe dalin pa u kontrolluar, sepse kështu ne minojmë sistemin, i cili realisht kërkon përpjekje të mëdha për t’u ngritur. Këtu keqpërdoret ky koncept nga ata që nuk e njohin apo që u intereson të mos ta njohin këtë çështje. Ndërkaq, nga përfaqësues shumë serioz të biznesit, ky koncept ka qenë i lidhur me amnistinë e detyrimeve të fshehura në kohë kundrejt shtetit. Kjo është një ide që vlen të diskutohet, por përsëri personalisht jam kundër. Kjo sepse në këtë mënyrë do të shtrembërohej tregu dhe do t`u jepej avantazh i pamerituar disa aktorëve të veçantë, kundrejt të tjerëve që kanë respektuar rregullat e lojës. Kjo nuk është e drejtë!
Biznesi ka kërkuar edhe uljen e TVSh dhe rishikimin e janë sërë taksash të tjera. TVSH është janë taksë që prek direkt konsumatorin dhe ulja e saj do të ndikonte në mbajtjen e kërkesës në nivele të larta. A e shikon qeveria si një hap të mundshëm prekjen e TVSh ose të taksave të tjera?
TVSH-ja nuk është taksë që ndikon tek biznesi, sepse ajo në shumicën absolute të rasteve transferohet te konsumatori. Argumenti që ju jepni mbi ndikimin e TVSH-së në rritjen e kërkesës agregate qëndron, por nuk besoj se reduktimi i TVSH-së është instrumenti më i përshtatshëm në kontekstin shqiptar. Në tre vitet e fundit, ne kemi mbajtur shumë të lartë kërkesën agregate nëpërmjet rritjes agresive të pagave dhe pensioneve. Nuk keni për të gjetur shembull të dytë si ky i tre viteve të qeverisjes së Qendrës së Djathtë në Shqipëri, përsa i përket kësaj rritjeje. Ky është një instrument efikas, i cili u shoqërua në të njëjtën kohë me uljen drastike të barrës fiskale, absolutisht më e ulëta në Evropë! Këto instrumente të marrë së bashku janë shumë më të fuqishëm se reduktimi me disa për qind i TVSH-së. Një debat interesant është zhvilluar së fundmi në Britani, ku Kryeministri Brown propozoi reduktimin e TVSH-së për të nxitur kërkesën konsumatore. Kundërpropozimi i Cameron, Kryeministër në hije, ishte i menjëhershëm: në vend të reduktimit të TVSH-së, - deklaroi ai — të reduktohet barra fiskale dhe pengesat burokratike. Në mendimin tim, ai kishte plotësisht të drejtë. Kjo lëvizje e Brown pati më pas edhe reagimin kundërshtues të liderëve të tjerë të BE-së, por për arsye të tjera....Shikoni pra që në këto vite, në emër të largpamësisë të merituar, qeveria shqiptare i ka ndërmarrë tashmë këto masa. Çdo sforcim i mëtejshëm si p.sh ulja e TVSH-së, do të ishte e kotë dhe do të rezultonte kundërproduktiv, sepse do të jepte ndikim të drejtpërdrejtë negativ në realizimin e të ardhurave buxhetore.
Komuniteti i biznesit ka kërkuar gjithashtu që të hiqen pagat e referencës për sektorin e ndërtimit, a mund të realizohet një kërkesë e tillë?
Komuniteti i ndërtuesve e ka kërkuar disa herë një gjë të tillë, në emër të dhënies oksigjen të një sektori problematik. Por, me lejoni të sjell në vëmendjen tuaj përgjigjen e ministrit Olldashi në lidhje me këtë propozim por edhe propozime të tjera të Shoqatës së Ndërtuesve: “reduktoni më parë çmimet e banesave, e në këtë mënyrë do të nxisni kërkesën konsumatore”. Për më tepër, aktualisht ky sektor është i përjashtuar (për të njëjtën arsye) nga TVSH-ja në shitje. Merrini dhe hidhini një sy pagave referuese: do të shikoni se ato nuk janë diskriminuese por të logjikshme. Ndërsa qeveria redukton në minimum barrën fiskale, ne presim që edhe biznesi, e në këtë rast sidomos ai ndërtues, të përgjigjet me luajalitet dhe të deklarojë bilance të vërteta. A ndodh kjo? Në shumicën e rasteve nuk me ngjan kështu. Evazioni nuk është thjesht një plagë, e cila i takon vetëm qeverisë për ta luftuar, por është edhe një shenjë e nivelit të maturimit të biznesit. Mesa duket, kemi ende rrugë për të bërë, pavarësisht përmirësimit shumë të ndjeshëm në këtë sektor.
Problemi i ekonomive sot është mungesa e besimit. Ministria e Ekonomisë është përgjegjëse për bashkëpunimin me biznesin. Çfarë planesh keni për të krijuar një klimë tjetër me bizneset në këto momente krize?
Besoj se METE ka arritur një sukses shumë të ndjeshëm në përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Të gjitha reformat tona kanë synuar dhe synojnë pikërisht këtë gjë. Krahasimi me vitet e qeverisjes së mëparshme është thjesht i pamundur, për këtë arsye në krahasohemi vetëm me veten tonë. Nuk dua të përmend këtu raportet e shumta ndërkombëtare, të cilat e njohin realitetin shqiptar, por Raporti i Fundit i Bankës Botërore, ai i Heritage Foundation, etj.. e cilësojnë Shqipërinë si një vend me klimë optimale për të bërë biznes. Një artikull i fundit në “Financial Times” rendiste Shqipërinë si një ndër dy vendet e vetme në Evropë, që do të njohë përsëri rritje ekonomike këtë vit tej të vështirë (për hir të vërtetës, vendi tjetër ka rezerva të mëdha gazi e nafte, që Shqipëria nuk i ka). Një ndër kompanitë shumë të mëdha evropiane në sektorin e energjetikës, gjatë vizitës së fundit të ministrit Ruli në Austri, u shpreh qartazi se”... kemi gjetur një klimë të mrekullueshme për biznesin tonë, e për më tepër bashkëpunimin e plotë e pa kushte të qeverisë. Kjo është e jashtëzakonshme..”. Besoj se kjo thënie tregon shumë. Ndërkaq, gjatë kësaj kohe ne po mbajmë një dialog shumë të ngushtë me biznesin, dhe kjo na ka lejuar të njohim problemet e shqetësimet e tyre mjaft mirë, si dhe t`u përgjigjemi atyre në kohë. Këtë gjë do të vazhdojmë ta bëjmë edhe më tutje.
Kriza ekonomike do të thotë më pak investime. Ministria e Ekonomisë ka firmosur disa kontrata të mëdha kryesisht në energjetikë. Sa të sigurta janë këto investime në këtë periudhë krize?
Për fat të mirë, sektori i energjetikës si një sektor me kërkesa gjithnjë e më shumë në rritje, po njeh pak krizën ekonomike të shprehur si krizë financiare (apo mungesë investimesh). Në kontaktet që kemi nuk shohim asnjë problematike nga koncesionarët apo ata që kanë fituar kontrata të mëdha investimi. Përkundrazi ata kërkojnë të fillojnë sa më parë investimin e tyre, dhe METE po i mbështet në çdo hap. Nga ana tjetër, po të shikoni emrat e këtyre kompanive do të konstatoni (njësoj si edhe ne) se bëhet fjalë për kompanitë më të mëdha në nivelin botëror, dhe se serioziteti i tyre është i admirueshëm. Sigurisht, për të marrë frytet e para të këtyre kontratave do të na duhet të presim disa vite, por kjo është taksë që qytetarët e këtij vendi po i paguajnë qeverisjes së mëparshme socialiste, e cila në 8 vite nuk ndërmori absolutisht asnjë reformë në energjetikë. Ndërsa sot deklarojnë se nuk do të njohin asnjë kontratë të lidhur koncesionare. Kjo është ironike dhe cinike njëherazi, por ky është niveli opozitës tonë, e këtë duhet ta pranojmë siç është.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›