E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategia e fushatës së Obamës me vullnetarët e PS

 

Aristir Lumezi

Kirsten Verdel, strategjia e fushatës së Presidentit amerikan Barack Obama është vënë pranë Vullnetarëve të PS për Ndryshim. Sapo ka mbaruar një fushatë të suksesshme, që solli në krye të Shtëpisë së Bardhë Presidentin e parë me ngjyrë, Verdel është angazhuar me zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri. Ekspertja e fushatave elektorale ka marrë përsipër të orientojë me idetë e saj elektorale strukturën më të re të krijuar ndonjëherë në Shqipëri pranë partive politike, Vullnetarët e bashkimit për Ndryshim. Kirsten Verdel është e para dhe e vetmja e huaj që punoi në shtabin qendror të Partisë Demokratike dhe kandidatit për President të SHBA. Verdel u angazhua në fushatën e suksesshme të Presidentit Obama si strategjiste fushate. Pas fushatës në Amerikë, ajo tashmë do të angazhohet edhe me Vullnetaret e PS dhe aktivitetet e tyre në të gjithë Shqipërinë. Holandeze në origjinë, Verdel është anëtare e Partisë Laburiste holandeze. Ajo zhvilloi një vizitë dy ditore në Tiranë, ku u njoh me strategjinë që Vullnetarët për Ndryshim të PS kanë hartuar për fushatën e tyre zgjedhore. Gjithashtu ajo zhvilloi dhe një trajnim specifik me strukturat drejtuese të qyteteve më të mëdha të vendit. Verdel, me një eksperiencë të madhe dhe produktive në fushatat elektorale, pritet të jetë në javët e ardhshme në Tiranë, për të qenë më afër vullnetarëve të PS-së, të cilët duket se kanë marrë një peshë jo të vogël të fushatës zgjedhore të socialistëve. Duket se risia e zgjedhjeve të 2009 do të jetë konsulenca e sprovuar e huaj me përvojë në fushatat elektorale në zgjedhjet më të mëdha në të gjithë botën, ku përfshihen presidentë, kryeministra dhe parti politike.
Vullnetarët
Vullnetarët e Bashkimit për Ndryshim, janë cilësuar risija e kësaj fushate. Ata kanë zëvendësuar forumin rinor FRESSH, por në përbërje të tyre nuk janë anëtarë partie. Simpatizantë, njerëz pa parti që duan të angazhohen vullnetarisht në fushatën elektorale të PS-së, janë përbërësit e këtij organizimi që duket se ka një kontribut jo të vogël në fushatën e nisur. Ata kanë nisur sipas një programi që është në përfundim të fazës së parë, një tur në të gjithë vendin bashkë me kryetarin socialist Edi Rama, ku i bëhet thirrje bashkimit të ri të shqiptarëve. Tashmë janë hapur me qindra zyra të Vullnetarëve të Bashkimit për Ndryshim në të gjithë vendin, ku ata po japin një ndihmesë të madhe në PS edhe në çështjet organizative të brendshme sa i takon listat e zgjedhësve por dhe evidentimit sa më të saktë të elektoratit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›